FOKUS – Gjermania akuzon një ukrainas për sabotimin e “Nord Stream”-it

HAMBURG/KARLSRUHE, 1 korrik /ATSH-DPA/ – Prokurorët federalë gjermanë kanë ngritur aktakuzën e parë lidhur me sabotimin e gazsjellësve nënujorë “Nord Stream” në vitin 2022.
Një shtetas ukrainas, i identifikuar vetëm si Serhiy K., akuzohet se ka ndihmuar në organizimin e sulmit që nxori jashtë funksionit tubacionet që transportonin gaz natyror rus drejt Gjermanisë.
Autoritetet gjermane nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht detajet e aktakuzës.
Megjithatë, sipas medias gjermane, ndaj të dyshuarit janë ngritur akuza për krime lufte, shkaktim shpërthimi me lëndë eksplozive dhe shkatërrim të infrastrukturës kritike.
Hetuesit besojnë se Serhiy K. ka pasur një rol koordinues në operacion, sipas deklaratave të mëparshme të prokurorisë.
Çështja do të shqyrtohet fillimisht nga një trupë e sigurisë shtetërore në Gjykatën e Lartë Rajonale Hanseatike në Hamburg, e cila do të vendosë nëse aktakuza do të pranohet dhe kur mund të nisë gjykimi.
Shpërthimet ndodhën në shtator të vitit 2022 pranë ishullit danez të Bornholm, duke dëmtuar rëndë të dy gazsjellësit “Nord Stream” dhe duke ndërprerë plotësisht rrjedhën e gazit.
Para sabotimit, “Nord Stream 1” furnizonte Gjermaninë me gaz natyror rus, ndërsa “Nord Stream 2” ende nuk kishte hyrë në funksion.
Pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, Rusia kishte reduktuar ose ndërprerë disa herë furnizimet me gaz përmes “Nord Stream 1”, përpara se tubacionet të sabotoheshin./ /Ad.Ab./ a.jor.