FOKUS – Gjermania ofron 19 milionë euro të tjera si ndihmë humanitare për Gazën

BEJRUT, 25 qershor /ATSH-DPA/- Duke pasur parasysh vuajtjet e popullatës civile, Gjermania ka vënë në dispozicion edhe 19 milionë euro të tjera (20,4 milionë dollarë) si ndihmë humanitare për Rripin e Gazës.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe Programi Botëror i Ushqimit po u ofrojnë ushqime familjeve të uritura, jeta e të cilave është në rrezik në Gazë”, tha sot ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në Jerusalem.
Ajo shtoi se çdo kuti me furnizime mjekësore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ndihmon në “rikthimin e një niveli minimal të kujdesit mjekësor” në spitalet e shkatërruara në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën shënjestrën e bombardimeve intensive nga forcat izraelite për muaj të tërë.
Ndër të tjera, paratë do të përdoren për të financuar shporta ushqimore që mbulojnë 90% të nevojave ditore.
Siç u njoftua në fillim të prillit, Ministria e Jashtme Gjermane po rifillon gjithashtu financimin e rregullt të UNRWA-s me një këst të parë prej 5 milion euro për të mbështetur aktivitetet e UNRWA-s në Jordani, Liban, Siri dhe Bregun Perëndimor, veçanërisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë. //a.i/