E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Herzog i justifikohet Mattarellës, ndërkohë që Italia fillon ndihmat nga 9 gushti

ROME, 1 gusht /ATSH-ANSA/ – Kam respekt të madh për presidentin e Republikës Italiane, mikun tim Sergio Mattarella. Pikërisht për këtë arsye, u trishtova nga disa aspekte të deklaratave të tij të fundit mbi situatën në Gaza dhe ndjeva nevojën për të sqaruar faktet. Izraeli nuk ka ‘qëllim të vrasë pa dallim. Ne vetëm duam të jetojmë në paqe dhe siguri, shkroi në një postim të gjatë në X presidenti izraelit Isaac Herzog.

”Presidenti Mattarella kishte të drejtë të thoshte se Izraeli u sulmua brutalisht më 7 tetor. Midis qindra njerëzve të pafajshëm të marrë peng nga Hamasi në atë ditë të errët, 50 prej tyre ende mbahen robër në kushte çnjerëzore në tunelet e Hamasit. Vuajtjet e tyre të patolerueshme, ankthi i familjeve të tyre dhe vuajtjet e civilëve të Gazës – të cilat nuk i dëshirojmë – mund të mbaronin sot nëse të gjithë pengjet do të liroheshin”, shton Herzog.

“Izraeli ka pranuar propozime të shumta për armëpushim përmes ndërmjetësimit. Hamasi i ka refuzuar vazhdimisht ato dhe ka vazhduar të refuzojë lirimin e pengjeve. Po, gabimet mund të ndodhin në luftë dhe ne nuk jemi indiferentë ndaj dhimbjes së civilëve palestinezë në Gaza”, theksoi ai.

”Ne po bëjmë çdo përpjekje për të përmirësuar situatën. Ne po veprojmë sipas ligjit ndërkombëtar në kushte pothuajse të pamundura ndryshe nga armiku ynë, i cili shkel hapur dhe me krenari konventat dhe ligjet e të drejtave të njeriut”, shtoi ai.

Italia ndërkohë nuk po qëndron indiferente ndaj luftës në Gaza.

”Nisja operative pritet në orët e ardhshme, me dërgimin e një grupi paraprak, i cili do të merret me aktivitetet përgatitore dhe koordinimin me autoritetet lokale. Dërgesat tona të para nga ajri janë planifikuar dhe mund të zhvillohen që më 9 gusht”, njoftoi nga ana e tij ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›