E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli intensifikon ofensivën ndaj Hezbollahut, sulme të reja në të gjithë Libanin

TEL AVIV, 25 maj /ATSH/- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të intensifikojë sulmet kundër Hezbollahut, ndërsa ushtria izraelite njoftoi nisjen e një vale të re bombardimesh në territorin e Libanit, raportoi BBC.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kanë ndërmarrë sulme ndaj objektivave të Hezbollahut në Luginën Bekaa, në lindje të Libanit, si dhe në zona të tjera të vendit.

Njoftimi erdhi pasi Netanyahu publikoi sot në mbrëmje një videomesazh, ku deklaroi se Izraeli “është në luftë me Hezbollahun” dhe se i kishte dhënë ushtrisë udhëzime për “t’i dhënë organizatës një goditje shkatërruese”.

Më herët gjatë këtij muaji, Libani dhe Izraeli ranë dakord për zgjatjen e një armëpushimi 45-ditor, megjithëse përplasjet sporadike kanë vazhduar.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet në Bejrut, se sulmet izraelite mund të zgjerohen edhe në kryeqytetin libanez.

Netanyahu deklaroi se ofensiva ushtarake izraelite kundër Hezbollahut “ka eliminuar mbi 600 terroristë”, duke shtuar se “ajo që kërkohet tani është shtimi i sulmeve dhe rritja e intensitetit të tyre”.

Që prej nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit më 16 prill, sulmet izraelite janë përqendruar kryesisht në jug të Libanit, ku trupat izraelite vazhdojnë të jenë të pranishme dhe nga ku Izraeli pretendon se janë lëshuar dronë dhe raketa.

Lugina Bekaa, e goditur sot në mbrëmje, ndodhet në lindje të Libanit, pranë kufirit me Sirinë.

Zgjerimi i fushatës ushtarake izraelite erdhi në një kohë kur qeveria e Iranit, këmbënguli se një marrëveshje e mundshme paqeje me SHBA-në, duhet të përfshijë një armëpushim të plotë në të gjitha frontet e konfliktit rajonal.

Qeveria izraelite ka shprehur kundërshtim ndaj përfundimit të luftimeve kundër Hezbollahut.

Sipas raportimeve, 10 ushtarë izraelitë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit fillestar me Libanin, ndërsa mbi 400 persona në Liban, kanë humbur jetën nga bombardimet izraelite gjatë së njëjtës periudhë, përfshirë shumë mjekë të urgjencës dhe punonjës të shërbimeve emergjente.

Izraeli ka lëshuar pothuajse çdo ditë urdhra evakuimi për qytetarët libanezë, në zona të reja në jug të vendit, duke çuar në më shumë se një milion persona të zhvendosur.

Libani u përfshi në raundin aktual të luftimeve pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit më 28 shkurt.

Hezbollahu, aleat i Iranit, lëshoi raketa drejt Izraelit në kundërpërgjigje ndaj një sulmi izraelit ku u vra udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei.

Izraeli u përgjigj me një fushatë ajrore në të gjithë Libanin dhe me një ofensivë tokësore, ku sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, më shumë se 3 000 persona janë vrarë nga sulmet izraelite.

Qeveria libaneze po vijon përpjekjet për çarmatimin e Hezbollahut, ndërsa theksoi se armëpushimi mbetet i domosdoshëm për realizimin e këtij procesi, të cilin e konsideron kompleks. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›