E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Marrëveshje miliardëshe Greqi-Izrael për mbrojtjen kundërajrore

ATHINË, 31 gusht /ATSH-ANA/ – Greqia dhe Izraeli nënshkruan sot një marrëveshje ndërqeveritare për zhvillimin e një mburoje kundërajrore, antibalistike dhe kundër dronëve, e njohur si “Mburoja e Akilit”, që përmban një sistem gjithëpërfshirës dhe të integruar komande dhe kontrolli.

Marrëveshja, me vlerë 3,035 miliardë euro, u nënshkrua në Tel Aviv midis Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë dhe palës izraelite.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria greke e Mbrojtjes, pala greke e marrëveshjes, e cila parashikon nisjen e menjëhershme të zbatimit të programit, u nënshkrua nga gjenerallejtënanti Ioannis Bouras, drejtor i përgjithshëm për Investimet në Mbrojtje dhe Armatimet.

Nga pala izraelite, marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, Amir Baram.

Zbatimi i tij parashikon pjesëmarrje të gjerë nga ekosistemi i mbrojtjes dhe teknologjisë së Greqisë, me 19 kompani greke të përfshira tashmë në procedurat përkatëse.

Pjesa e tyre tejkalon 25%, duke arritur konkretisht në 750 milionë euro.

Në të njëjtën kohë, programi parashikon krijimin e një baze prodhimi në Greqi me potencial eksporti.

“Greqia është vendi i parë i Bashkimit Evropian që miraton një sistem të ngjashëm. Ndryshimi i shpejtë i gjithçkaje është një kusht thelbësor për mbijetesën kombëtare përballë revizionizmit dhe kërcënimit gjithnjë në zgjerim”, tha ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›