E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Mbi 580 të vdekur dhe mijëra të zhdukur nga përmbytjet shkatërruese në kufirin Nepal-Kinë

PEKIN, 28 gusht /ATSH-DPA/- Numri i viktimave nga përmbytjet e rrufeshme në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës ka shkuar në mbi 580 të vdekur, ndërsa rreth 2 500 persona rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e një tjetër përmbytjeje, pasi në Tibet është formuar një liqen, niveli i ujit të të cilit po rritet.

Në Nepal janë konfirmuar deri tani 579 viktima, ndërsa 1 924 persona janë ende të zhdukur, mes tyre 517 shtetas të huaj.

Shumë prej trupave janë gjetur në zonat jugore të Nepalit dhe pranë kufirit me Indinë.

Ndërkohë, Kina ka raportuar pesë të vdekur dhe 558 të zhdukur.

Katastrofa ndodhi të mërkurën, kur një shembje masive akullnajore, e shoqëruar me ujë, baltë dhe mbetje shkëmbore, goditi zonën kufitare dhe shkatërroi pikën kufitare të Gyirongut.

Frikë për një tjetër përmbytje

Autoritetet në të dyja anët e kufirit kanë ngritur alarmin për një tjetër përmbytje.

Si pasojë e rrëshqitjeve të tokës në Tibet është formuar një digë natyrore, e cila ka krijuar një liqen të ri.

Niveli i ujit në këtë liqen po rritet dhe ekziston frika se, nëse diga natyrore çahet, një valë e re përmbytëse mund të godasë zonat përreth.

Për këtë arsye, ekipet kineze të shpëtimit ndërprenë përkohësisht operacionet, ndërsa në Nepal policia u bëri thirrje banorëve dhe punonjësve të emergjencës të largoheshin drejt zonave më të larta.

Në qytetin Bidur, pranë lumit Trishuli, banorët u panë duke braktisur shtëpitë në panik, nga frika e një vale tjetër uji.

Shpëtohen dy punëtorë të bllokuar në tunel

Pamje dramatike nga Nepali treguan momentin kur ushtria shpëtoi dy punëtorë, të cilët u gjetën të gjallë në një tunel të një hidrocentrali.

Ata u nxorën të mbuluar me baltë dhe më pas u transportuan drejt një helikopteri.

Mes të zhdukurve edhe shtetas të huaj

Pas shpëtimit të një familjeje gjermane me katër anëtarë, vazhdojnë kërkimet për shtetas të tjerë gjermanë të zhdukur.

Sipas autoriteteve nepaleze, deri tani janë shpëtuar 4 451 persona, mes tyre 129 të huaj.

Një grup prej 77 vizitorësh dhe 15 shoqëruesish nepalezë rezulton i zhdukur që prej katastrofës.

Ata po ktheheshin nga Mali Kailash dhe Liqeni Manasarovar në Tibet, vende të shenjta për pelegrinët, kur humbën kontaktet.

Mes tyre ndodhen turistë nga më shumë se 10 vende, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Australinë, Spanjën, Afrikën e Jugut, Izraelin dhe Kanadanë.

Katastrofa ndodhi brenda pak minutash

Ekspertët besojnë se katastrofa u shkaktua nga shembja e një akullnaje, e cila shkaktoi një ortek të fuqishëm me akull, ujë dhe mbetje shkëmbore.

Sipas ekspertit, Niels Hovius nga Qendra “Helmholtz për Gjeoshkencat”, sisteme të automatizuara paralajmëruese mund të ndihmojnë në parashikimin e këtyre katastrofave.

Megjithatë, në këtë rast, mes shembjes së akullnajës dhe mbërritjes së valës shkatërruese në pikën kufitare të Gyirongut kaluan më pak se 10 minuta, duke lënë shumë pak kohë për reagim. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›