FOKUS – Moska dhe Kievi i përmbahen kërkesave për negociata për t’i dhënë fund luftës

MOSKË, 25 korrik /ATSH-DPA/- Deklaratat e fundit të liderëve rusë dhe ukrainas tregojnë se pengesa të rëndësishme mbeten në vend – përpara se të zhvillohen bisedimet e paqes për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të Moskës ndaj fqinjit të saj.
Të dyja palët thanë se janë të hapura për negociata edhe pse secila prej tyre ka vendosur parakushte për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Moska ndaj fqinjit të saj në shkurt 2022.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se është e gatshme të hyjë në një proces negociatash me Rusinë, nëse Moska është e përgatitur të angazhohet në negociata të sinqerta.
Megjithatë, ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha se aktualisht nuk ekziston një vullnet i tillë nga pala ruse – dhe bëri thirrje për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Kievi ka bërë deklarata të ndryshme që nuk janë plotësisht të kuptueshme.
“Rusia në përgjithësi është e hapur për një proces negociatash, por së pari ne duhet të kuptojmë se deri në çfarë mase pala ukrainase është e gatshme për këtë – dhe deri në çfarë mase e ka lejen e të besuarve të saj”, tha Peskov.
Rusia e quan udhëheqjen ukrainase një “kukull” duke pretenduar se Kievi menaxhohet nga forcat perëndimore.
Zyrtarisht, kushtet e shprehura nga të dyja palët deri më tani kanë qenë shumë të ndryshme.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që trupat ruse të tërhiqen plotësisht nga vendi përpara se të zhvillohen negociatat me Moskën.
Por, presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë thirrje Ukrainës të heqë dorë nga Khersoni, Zaporizhia, Luhansku dhe Donetsku – që Rusia i aneksoi ilegalisht, edhe pse disa janë ende të kontrolluara nga Kievi.
Ndërkohë të dyja palët vazhdojnë të grumbullojnë armë dhe mijëra ushtarë janë dislokuar në luftimet e vazhdueshme.
Peskov tha se pengesa bazë për negociatat mbetet fakti se Zelensky ka përjashtuar bisedime të tilla me dekret. Ai gjithashtu tha se Ukraina do të duhet t’i shpjegojë propozimet e saj. //a.i/