E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Nafta sërish mbi 100 dollarë pas bllokadës së porteve iraniane

TOKIO, 13 prill /ATSH-AFP/ – Çmimet e naftës u rritën me 8% dhe u ngjitën sot në mbi 100 dollarë për fuçi, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan bllokimin e porteve iraniane.

Pasi ranë në rreth 97 dollarë në fund të javës së kaluar, çmimi i naftës së papërpunuar West Texas Intermediate (WTI) për dorëzimin në maj u rikthye 8,69% në 104,95 dollarë.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent nga Deti i Veriut, për dorëzimin në qershor, po tregtohet me rreth 103,17 dollarë në të njëjtën kohë, duke u rritur me 8,37%.

Ushtria amerikane njoftoi se do të fillonte një bllokadë të porteve iraniane duke filluar nga sot në orën 14:00 GMT, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (Centcom), pas dështimit të bisedimeve në Pakistan.

Megjithatë, ajo specifikoi se do të lejonte anijet që nuk nisen ose nuk shkojnë nga Irani të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore strategjike përmes së cilës normalisht kalon tranzit një e pesta e furnizimit botëror me naftë.

“Kërcënimet e presidentit amerikan për të vendosur një bllokadë detare kundër Iranit (…) janë krejtësisht qesharake dhe zbavitëse”, u përgjigj kreu i marinës iraniane, admirali Shahram Irani.

Pas dështimit të bisedimeve iraniano-amerikane këtë fundjavë, Pakistani, vendi pritës i diskutimeve, bëri thirrje për respektimin e armëpushimit dyjavor të rënë dakord nga të dyja palët – asnjëra prej të cilave nuk ka komentuar mbi të ardhmen e armëpushimit, i cili supozohet të skadojë më 22 prill.

“Po hyjmë në një javë të re në një sfond të konfliktit në rritje (…) i cili do të rrisë presionin në tregjet globale të naftës dhe do të rëndojë besimin e investitorëve”, vëren Kathleen Brooks, një analiste në XTB.

“Irani ka deklaruar se çdo afrim i anijeve luftarake amerikane në Ngushticën e Hormuzit do të konsiderohej shkelje e marrëveshjes së armëpushimit dhe do të shkaktonte një përgjigje ushtarake. Perspektiva e luftimeve të reja mund të prishë tregjet dhe të rrisë çmimet e naftës”, theksoi ajo.

“Mungesa e një marrëveshjeje do të thotë që Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur dhe mund të bëhet edhe më e rrezikshme… Konflikti po hyn në javën e gjashtë dhe ne mund të fillojmë ta shohim më qartë dëmin ekonomik”, paralajmëroi Brooks.

“Mesazhet politike kontradiktore kanë thelluar pasigurinë”, vunë në dukje analistët në ”JP Morganuke përmendur në veçanti sugjerimin e Shtëpisë së Bardhë për të vendosur një taksë të përbashkët me Iranin për trafikun përmes Ngushticës së Hormuzit.

“Rihapja e ngushticës është bërë përparësia më urgjente e tregut”, përfunduan ata./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›