E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Nëntë të vrarë, 2800 të plagosur pas shpërthimeve në Liban

BEJRUT, 17 shtator /ATSH-DPA/- Nëntë persona janë vrarë dhe rreth 2 800 të tjerë janë plagosur në shpërthimet e dyshuara të koordinuara të pajisjeve të telekomunikacionit të dorës në të gjithë Libanin, tha sot ministri i Shëndetësisë Firas Abiad gjatë një konference për shtyp në Bejrut.

Abiad tha se një fëmijë ishte në mesin e të vrarëve kur pajisja në shumë rajone libaneze shpërtheu më herët të martën.

“Rreth 200 persona janë në gjendje kritike”, tha ai.

“Shumica e viktimave kanë pësuar plagë në dorë, ndërsa disa janë plagosur edhe në fytyrë, bark dhe sy”, sipas ministrit.

Milicia libaneze e mbështetur nga Irani, Hezbollah, tha se anëtarët e saj janë në mesin e të plagosurve, përfshirë luftëtarët e Forcave Radwan, një njësi elitare brenda grupit.

Një burim i afërt me Hezbollahun tha se përfaqësues të lartë të Hezbollahut gjithashtu janë plagosur.

Sipas raporteve të pakonfirmuara, Izraeli kishte shënjestruar pajisjet e komunikimit të përdorura nga Hezbollahu dhe qëndron pas shpërthimeve.

Ushtria izraelite fillimisht nuk ka komentuar për ngjarjen në Liban.

Ambasadori i Iranit në Liban, Mojtaba Amani, raportohet gjithashtu se është plagosur gjatë shpërthimit.

Shpërthimet ndodhën në periferitë jugore të Bejrutit, një bastion i Hezbollahut, si dhe në jug të vendit. Raporte të ngjashme erdhën edhe nga Siria fqinje. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›