E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – Notre Dame de Paris hap dyert pas pesë vitesh, mes liderëve edhe Rama

PARIS, 7 dhjetor /ATSH/ – Dukej si një ndërmarrje e pamundur, por pas pesë vitesh punë bota po feston rilindjen e Notre-Dame de Paris, sipas ANSA.

Simboli i katedrales së Parisit, i shkatërruar pjesërisht nga zjarri i 15 prillit 2019, rihapi dyert sot në praninë e mbi 40 liderëve botërorë, duke përfshirë presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, presidentin e Republikës italiane, Sergio Mattarella dhe kryeministren, Giorgia Meloni, gjithashtu kryeministrin Edi Rama, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky si dhe shumë liderë evropianë dhe afrikanë.

Ndryshe nga programi fillestar, presidenti francez Emmanuel Macron nuk foli në oborrin e kishës siç ishte planifikuar fillimisht në lidhje me sekularizmin republikan, por brenda katedrales.

Arsyeja? Në Paris priten erëra të forta dhe kushte të pafavorshme të motit.

Para fillimit të festimeve në Notre-Dame, Macron priti Trump dhe Zelensky në Elysee.

Në fund të ceremonisë në Notre-Dame, rreth orës 21:00, Macron do të mirëpresë liderët botërorë për një darkë gala’ në Elysee së bashku me bashkëshorten e tij Brigitte Macron.

Ndër të parët që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për rihapjen e Notre Dame de Paris, Sergio Mattarella, i cili ishte lideri i parë ndërkombëtar që shkoi në katedralen ende të mbuluar nga rrënojat dy javë pas zjarrit, më 2 maj 2019.

Mungesë e dukshme është ajo e papa Françeskut, i cili në vend të kësaj zgjodhi të shkojë në Korsikë më 15 dhjetor për një konferencë.

Megjithatë, Papa dërgoi një mesazh, i cili do të lexohet nga kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich, gjatë festimeve.

Shumë liderë nga Afrika dhe kontinente të tjera morën pjesë gjithashtu në këtë ngjarje, e cila kishte shtrirje globale, të paktën po aq sa zjarri shkatërrues që pesë vjet më parë dhe u transmetua drejtpërdrejt në mbarë botën.

Zjarri shkaktoi një shpërthim të paprecedentë solidariteti, ku ndihma nga e gjithë bota arriti në 844 milionë euro./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›