E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Omani: Bisedimet për Hormuzin kanë hyrë në fazën vendimtare

KAJRO, 8 gusht /ATSH-DPA/- Omani deklaroi sot se negociatat për përcaktimin e rregullave të lundrimit në Ngushticën strategjike të Hormuzit po zhvillohen në një atmosferë “pozitive dhe konstruktive”.

Vendi i Gjirit, i cili së bashku me Iranin kufizohet me këtë pikë kyçe detare, bëri thirrje që të shmanget çdo veprim, që mund të ndikojë në negociata dhe në përparimin e arritur deri tani, duke theksuar se procesi duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve.

Në deklaratën e shkurtër të Ministrisë së Jashtme të Omanit nuk bëhej e qartë se cilat palë janë të përfshira në negociata.

Omani dhe Irani po negociojnë prej disa javësh për mënyrën e rregullimit të kalimit të anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë detare me rëndësi të madhe për tregtinë globale të energjisë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar vazhdimisht se edhe Uashingtoni është i përfshirë në negociata, por Teherani e ka mohuar këtë.

Më herët, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Teherani dhe Musati janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për një mekanizëm të ri, që do të rregullojë lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

Omani dënoi gjithashtu sulmet e përsëritura ndaj anijeve që kalojnë nëpër ngushticë, duke i cilësuar ato si “shkelje” të së drejtës ndërkombëtare dhe të ujërave territoriale, si dhe si kërcënim për sigurinë e lundrimit.

Deklarata u publikua pasi Autoriteti  i Operacioneve Britanike për Tregtinë Detare (UKMTO) raportoi se një anije ishte goditur nga një predhë e paidentifikuar në brigjet e Omanit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›