E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Rritet çmimi i naftës, i afrohet 100 dollarëve për fuçi mes konfliktit SHBA-Iran

UASHINGTON, 9 shtator /ATSH-DPA/- Çmimi i naftës u rrit sërish sot në orët e para të tregtimit, pasi sulmet e reja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, në Gjirin Persik rritën shqetësimet për furnizimin me naftë dhe burime të tjera energjetike.

Çmimi i naftës “Brent”, që përdoret si një nga treguesit kryesorë të çmimeve të naftës në botë, për kontratat që do të dorëzohen në nëntor, u rrit me më shumë se 1,1%, duke arritur në 99,04 dollarë për fuçi.

Më herët, çmimi kishte arritur në 99,68 dollarë.

Nafta “Brent” është rritur me më shumë se 60%, që nga fillimi i këtij viti dhe po i afrohet nivelit prej 100 dollarësh për fuçi, për herë të parë që nga fundi i korrikut.

Edhe produktet e përpunuara të naftës, si nafta për automjete dhe industri, janë shtrenjtuar edhe më shumë.

Rritja e çmimeve lidhet me përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme drejt Detit të Kuq, pranë Arabisë Saudite, ndërsa paralelisht vazhdon edhe lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.

Edhe çmimet e gazit natyror në Evropë, u rritën për të katërtën ditë radhazi, pas sulmeve të fundit amerikane.

Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për furnizimin me karburant

Përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit janë përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit.

Ngushtica është një rrugë detare jashtëzakonisht e rëndësishme për transportin e naftës, gazit natyror të lëngshëm dhe plehrave bujqësore.

Çdo pengesë në këtë zonë mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin dhe çmimet e karburanteve në tregjet botërore.

Ushtria amerikane tha se kishte shkatërruar pesë anije cisternë iraniane që transportonin naftë bruto, ndërsa një prej tyre ishte fundosur.

Sipas SHBA-së, veprimet u ndërmorën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane ndaj një anijeje luftarake amerikane.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha se ishte kundërpërgjigjur menjëherë me sulme të fuqishme me raketa ndaj Jordanisë, aleate e SHBA-së.

Agjencia shtetërore jordaneze e lajmeve “Petra” raportoi se forcat e armatosura të Jordanisë kishin interceptuar 20 raketa balistike. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›