E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Rubio: Kërkesat e SHBA-së për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në NATO nuk janë armiqësore

LONDËR, 8 tetor / /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka këmbëngulur se kërkesat e Shtëpisë së Bardhë që Britania e Madhe dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s të rrisin investimet në mbrojtje “nuk janë diçka armiqësore”.

Sipas tij, NATO është një aleancë thelbësore për parandalimin e konflikteve dhe, për të vazhduar të luajë këtë rol, anëtarët e saj duhet të jenë “sa më të fortë që të jetë e mundur”.

Britania e Madhe dhe vendet e tjera të NATO-s u angazhuan vitin e kaluar të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2035, pas kërkesave të forta të presidentit Donald Trump.

Presidenti amerikan  ka argumentuar se SHBA-ja ka mbajtur për një kohë të gjatë një pjesë të madhe të barrës financiare për sigurinë e aleatëve, ndërsa kërcënimet nga Rusia dhe Kina janë shtuar.

Rubio tha se një NATO e fortë kërkon aleatë të fortë.

Ai veçoi Gjermaninë si një nga vendet që ka rritur angazhimin e saj, ndërsa tha se disa vende të tjera, pa i përmendur me emër, “po vonohen”.

Në Britaninë e Madhe, qeveria po përballet me presion për të shpjeguar se si do të realizojë objektivin e NATO-s prej 5%, ndërsa raportohet se kryeministri Andy Burnham po shqyrton shtyrjen e një vendimi të rëndësishëm për financimin.

Rubio tha se disa njerëz e shohin kërkesën për rritjen e shpenzimeve ushtarake si një qëndrim armiqësor, por sipas tij është e kundërta.

“NATO është e rëndësishme. Që NATO të ketë rëndësi, ajo duhet të jetë e fortë,” deklaroi ai, duke shtuar se aleanca është mbi të gjitha një strukturë mbrojtëse që shërben si forcë parandaluese kundër agresionit./  /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›