FOKUS – SHBA: Bisedimet për armëpushimin në Gaza mbeten konstruktive

TEL AVIV-UASHINGTON, 27 gusht /ATSH-DPA/ – Bisedimet për një armëpushim në Rripin e Gazës po vazhdojnë në nivel të grupit të punës në Kajro, pavarësisht shkëmbimit të zjarrit të ashpër të Izraelit dhe Hezbollahut, tha një zyrtar i lartë amerikan.
“Vazhdon të ketë përparime dhe ekipi ynë në terren vazhdon t’i përshkruajë bisedimet si konstruktive”, tha zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Kirby tha se Brett McGurk, këshilltari kryesor i presidentit amerikan Joe Biden për Lindjen e Mesme, qëndroi në kryeqytetin egjiptian edhe për një ditë tjetër për të ndihmuar në “fillimin” e konsultimeve të nivelit më të ulët.
“Të gjitha palët do të përfaqësohen, duke përfshirë Hamasin, në ato diskutime të grupeve të punës, dhe sa kohë do të zgjasë, mendoj se kjo mbetet për t’u parë”, tha Kirby.
”Bisedimet gjithashtu nuk u ndikuan” nga shpërthimi i madh i dhunës midis Izraelit dhe grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani në Libanin jugor në fundjavë”, shtoi ai.
Raundi i fundit i bisedimeve në Kajro nga zyrtarë të lartë që përfaqësojnë palët nuk arriti të arrijë një përparim dhe përfundoi të dielën.
Delegacioni izraelit prej 13 personash është larguar nga Egjipti, si dhe Emiri i Katarit Tamim bin Hamad Al Thani dhe përfaqësuesit e Hamasit që kishin udhëtuar nga Doha për t’u informuar mbi ecurinë e bisedimeve.
Ndërsa Hamasi dhe Izraeli nuk po negociojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, SHBA, Katari dhe Egjipti po veprojnë si ndërmjetës./ a.jor.