E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA: Kritikat e Netanyahut konfuze dhe zhgënjyese

UASHINGTON, 20 qershor /ATSH-DPA/ – Qeveria amerikane ka shprehur zemërimin e saj ndaj deklaratave të bëra nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në të cilat ai pohoi se ”Uashingtoni po ndalon dërgesat e armëve për Izraelin”.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, e quajti video-mesazhin e fundit të Netanyahut “turbullues”, “thellësisht zhgënjyes” dhe “shqetësues”.

“Ky president vendosi aeroplanë luftarakë në ajër në mes të prillit për të ndihmuar në rrëzimin e disa qindra dronëve dhe raketave, duke përfshirë raketat balistike që u hodhën nga Irani në drejtim të Izraelit”, theksoi Kirby.

”Asnjë vend tjetër nuk po bënte më shumë për të ndihmuar Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit”, shtoi ai.

”Shtëpia e Bardhë nuk e ka idenë se çfarë e shtyu Netanyahun të bënte komentet në videon e publikuar të martën”, tha Kirby.

Në të, Netanyahu tha se ishte “e paimagjinueshme” që SHBA të ndalonte “mbajtjen e armëve dhe municioneve për Izraelin”, por pa specifikuar asgjë.

Netanyahu dhe presidenti amerikan Joe Biden kanë qenë në mosmarrëveshje prej muajsh.

Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë amerikane e kanë bërë jashtëzakonisht të qartë se nuk pajtohen me veprimet e Netanyahut në luftën e Gazës.

Kritikat janë ngritur veçanërisht për numrin e lartë të viktimave civile dhe vështirësitë humanitare në Rripin e Gazës./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›