FOKUS – SHBA: Thellësisht të shqetësuar nga dhuna e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor

UASHINGTON, 4 nëntor /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara i kërkuan Izraelit të ndërmarrë veprime kundër dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar duke shprehur shqetësimin pas djegies së rreth 20 makinave pranë Ramallahut.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga këto dhe raporte të tjera të fundit të rritjes së dhunës së kolonëve ekstremistë në Bregun Perëndimor”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Përveç djegies së makinave, Miller përmendi sulmet e kolonëve në Bregun Perëndimor në shtëpitë, therjen e bagëtive të palestinezëve dhe ndërprerjen e vjeljes së ullirit.
“Është thelbësore që qeveria izraelite të pengojë dhunën e kolonëve ekstremistë dhe të ndërmarrë hapa për të mbrojtur të gjitha komunitetet në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare”, shtoi Miller.
“Kjo përfshin ndërhyrjen, parandalimin dhe dhënien fund të kësaj dhune. Është gjithashtu përgjegjësi e autoriteteve kompetente që të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të ulur tensionet dhe për të siguruar që të gjithë autorët e akteve të dhunës kundër civilëve të mbahen përgjegjës, pavarësisht nga origjinën e autorit apo viktimës”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar në mënyrë të përsëritur dhunën e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe kanë vendosur sanksione./ a.jor.