E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA arreston trafikantin meksikan të drogës ‘El Mayo”’ Zambada

MEKSIKO SITI, 26 korrik /ATSH-DPA/ – Ismael “El Mayo” Zambada, një figurë kyçe në kartelin Sinaloa dhe një nga bosët më me ndikim të drogës në Meksikë, është arrestuar në El Paso, një qytet kufitar i SHBA.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Merrick Garland njoftoi arrestimin edhe të Joaquín Guzmán López, djali i ish-bashkëpunëtorit të Zambada dhe liderit famëkeq të kartelit Joaquín “El Chapo” Guzmán Loera.

Sipas raporteve të mediave meksikane, Zambada dhe Guzmán López u dorëzuan vullnetarisht tek autoritetet.

Administrata e SHBA-së për Zbatimin e Drogës kishte ofruar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacionin që mund të çonte në arrestimin e 76-vjeçarit Zambada.

Zambada përballet me akuza të shumta në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë prodhimin e kokainës, heroinës, metamfetaminës dhe fentanilit, si dhe akuza për vrasje dhe pastrim parash.

“El Mayo dhe Guzmán López i bashkohen një liste në rritje të drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të Kartelit Sinaloa që Departamenti i Drejtësisë po i mban përgjegjës në Shtetet e Bashkuara”, tha Garland.

Ovidio Guzmán, një tjetër djalë i El Chapo, u ekstradua nga Meksika në Shtetet e Bashkuara në shtator./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›