FOKUS – SHBA-ja dhe Arabia Saudite godasin grupet e armatosura në Irak

UASHINGTON/ TEHERAN, 29 korrik /ATSH-DPA/- Ushtria amerikane njoftoi sot se ka kryer sulme të drejtuara me saktësi në Irak, në bashkëpunim me forcat saudite, kundër grupeve të armatosura të lidhura me Iranin, të cilat i cilësoi si grupe “terroriste”.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), avionët luftarakë amerikanë dhe sauditë goditën disa objekte logjistike dhe depo armësh në lindje të Irakut. Njoftimi u bë përmes një postimi në platformën X.
CENTCOM deklaroi se sulmet ishin një përgjigje ndaj më shumë se 30 sulmeve me dronë gjatë 72 orëve të fundit, të cilat, sipas ushtrisë amerikane, ishin organizuar nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Sipas CENTCOM, IRGC-ja kishte udhëzuar militantët e mbështetur nga Irani, të sulmonin trupat amerikane dhe infrastrukturën energjetike të Arabisë Saudite.
Komanda amerikane tha se sulmet ndaj forcave të SHBA-së kishin dështuar.
Më herët, CENTCOM njoftoi se kishte parandaluar një përpjekje për një “sulm të befasishëm iranian”, ku disa raketa balistike synonin forcat amerikane në Lindjen e Mesme.
Të gjitha raketat u interceptuan dhe shkatërruan, tha ushtria amerikane, pa bërë të ditur objektivin e saktë.
Sipas medias amerikane “Axios”, raketat ishin drejtuar drejt një baze ushtarake amerikane në Jordani.
Ushtria jordaneze konfirmoi se kishte interceptuar pesë raketa të lëshuara nga Irani.
Sulmi ndodhi, pavarësisht njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump se sulmet amerikane ndaj Iranit ishin pezulluar, me qëllim që negociatat me Teheranin të merrnin një tjetër mundësi.
“Jemi në bisedime shumë të thella me Iranin”, tha Trump për “Axios”.
Para pezullimit, ushtria amerikane kishte kryer sulme të përnatshme ndaj objektivave në Iran për rreth dy javë.
Sipas CNN, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe gjenerali Dan Caine, kryetar i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA-së, kishin shprehur shqetësime për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
CNN raportoi, duke cituar burime të informuara, se gjenerali Caine kishte paralajmëruar gjithashtu për pakësimin e rezervave amerikane të municioneve.
Sipas “The New York Times”, shqetësimet kryesore lidhen me rezervat e raketave për mbrojtjen ajrore, veçanërisht sistemet “Patriot”, të cilat përdoren për interceptimin e raketave balistike. //a.i/