FOKUS – SHBA kufizon qëndrimin e studentëve dhe gazetarëve të huaj

UASHINGTON, 16 korrik /ATSH-AFP/ – Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka miratuar rregulla të reja që vendosin kufizime më të rrepta për kohëzgjatjen e qëndrimit të studentëve dhe gazetarëve të huaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të politikave për shtrëngimin e emigracionit ligjor.
Sipas rregullave të reja, që mund të hyjnë në fuqi që në muajin shtator, studentët e huaj do të lejohen të qëndrojnë në SHBA për kohëzgjatjen e programit të tyre akademik, por jo më shumë se katër vjet.
Ndërkohë, gazetarët e huaj do të kenë të drejtë të qëndrojnë vetëm 240 ditë (rreth tetë muaj), me mundësi zgjatjeje për periudha të tjera prej 240 ditësh.
Për gazetarët kinezë kufiri do të jetë vetëm 90 ditë.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare argumentoi se ndryshimet synojnë të parandalojnë rastet kur studentët zgjasin vazhdimisht studimet për të qëndruar për një kohë të pacaktuar në SHBA.
Sipas autoriteteve, sistemi i deritanishëm, i cili ishte në fuqi që nga fundi i viteve 1970, e bënte më të vështirë monitorimin e mbajtësve të vizave.
Rregullorja e re u finalizua pothuajse pa ndryshime, pavarësisht afro 22 mijë komenteve publike të marra gjatë procesit të konsultimit.
Universitetet dhe organizatat e arsimit të lartë kanë kritikuar vendimin, duke paralajmëruar se ai mund ta bëjë SHBA-në më pak tërheqëse për studentët e talentuar ndërkombëtarë.
Edhe organizatat mediatike dhe disa partnerë ndërkombëtarë kërkuan periudha më të gjata qëndrimi për korrespondentët e huaj, por propozimet e tyre u refuzuan.
Rregullorja pritet të shqyrtohet nga Kongresi amerikan, ku republikanët kanë shumicën. /Ad.Ab./ a.jor.