FOKUS – SHBA paralajmëron rreziqe për anijet që kalojnë Ngushticën e Hormuzit

UASHINGTON, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Departamenti i Transportit i SHBA-së ka paralajmëruar anijet tregtare amerikane për rreziqet gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin e Omanit.
Sipas një njoftimi të publikuar sot, forcat iraniane tentuan më herët këtë muaj të hipnin në anijet tregtare brenda ujërave territoriale të Iranit, duke përdorur mjete të vogla dhe helikopterë.
Për disa kohë, anijet komerciale rrezikojnë të ndalen, të pyeten, të hipet mbi to, të ndalohen ose të sekuestrohen nga forcat e sigurisë iraniane.
Departamenti i Transportit theksoi se, nëse anijet amerikane vendosin të kalojnë në këto ujëra, duhet të lundrojnë sa më afër ujërave territoriale të Omanit dhe të qëndrojnë sa më larg ujërave territoriale iraniane.
Paralajmërimi do të jetë në fuqi deri në fillim të gushtit.
Ngushtica e Hormuzit ndodhet mes Iranit dhe Omanit dhe konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), rreth 30% e naftës së transportuar globalisht kaloi përmes kësaj ngushtice në vitin 2023, kryesisht për në Kinë, Indi dhe vende të tjera aziatike.
Gjithashtu, rreth 20% e tregtisë globale të gazit natyror të lëngshëm shkon përmes këtij rrugëkalimi.
Ngushtica e Hormuzit nuk ka një autoritet qendror si Kanali i Suezit në Egjipt.
Tankerat lundrojnë brenda ujërave territoriale të Iranit dhe Omanit, duke e bërë këtë rrugë veçanërisht të ndjeshme për sigurinë e transportit detar./ /Ad.Ab./ a.jor.