E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Shtetet baltike mirëpresin vendimin e Trump për dislokimin e trupave në Poloni

RIGË, 22 maj /ATSH-DPA/- Lituania dhe Letonia mirëpritën sot njoftimin e presidentit amerikan, Donald Trump për dërgimin e 5 000 ushtarëve amerikanë në Poloni.

“Një prani më e fortë aleate në rajonin tonë, forcon efektin parandalues dhe kontribuon në sigurinë e shteteve baltike dhe të gjithë Evropës”, shkroi në platformën X presidenti lituanez, Gitanas Nausėda.

Edhe presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, theksoi se vendimi i Trump do të forcojë sigurinë e krahut lindor të NATO-s.

Ai shtoi se, njëkohësisht, Evropa duhet të rrisë me urgjencë kapacitetet e saj mbrojtëse.

Më herët, ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, i cili ndodhet në takimin e ministrave të Jashtëm të aleancës në Helsingborg të Suedisë, falënderoi presidentin amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit njoftoi dje se do të dërgonte 5000 trupa shtesë në Poloni.

Trump e lidhi këtë vendim me marrëdhënien e tij të mirë me presidentin konservator të djathtë të Polonisë, Karol Nawrocki.

Sikorski e cilësoi dislokimin si një rotacion trupash, duke deklaruar se numri i ushtarëve amerikanë në Poloni “do të ruhej pak a shumë në nivelet e mëparshme”.

Komentet e liderëve baltikë pasuan deklaratat e ngjashme të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë mbërritjes së tij në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi.

“Sigurisht që e mirëpres këtë njoftim”, tha sot Rutte në qytetin portual suedez të Helsingborgut.

Ai theksoi se përpjekjet për të reduktuar varësinë e Evropës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për sigurinë e saj duhet të vazhdojnë, në mënyrë që Uashingtoni të mund të fokusohet edhe në prioritete të tjera.

“Ajo që do të shihni në periudhën e ardhshme është një proces gradual ku evropianët do të marrin më shumë përgjegjësi, gjë që është shumë e rëndësishme”, tha Rutte.

Lituania dhe Letonia, vende fqinje të Polonisë, kufizohen me Rusinë dhe aleatin e saj Bjellorusinë.

Të dyja shtetet e konsiderojnë veten të kërcënuara nga Rusia, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës katër vite më parë.

Në kontekstin e luftës në Ukrainë, në të dy vendet janë regjistruar së fundmi disa incidente me dronë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›