FOKUS – Spanja autorizon përdorimin e kanabisit për qëllime terapeutike

MADRID, 7 tetor /ATSH/ – Qeveria spanjolle ka miratuar një dekret që autorizon kanabisin për përdorime terapeutike, që do të thotë se mund të jepen nga një mjek me recetë, shkruan ilpost.it.
Kanabisi dhe ilaçet e derivuara nga kërpi nuk mund të jepen me recetë nga mjekët e përgjithshëm, por nga specialistët në kushtet dhe terapitë për të cilat ato përdoren.
Dekreti nuk specifikon listën e rasteve klinike në të cilat mund të përshkruhet, por kjo do të përpilohet gjatë tre muajve të ardhshëm nga agjencia e Ministrisë spanjolle të Shëndetësisë, përgjegjëse për barnat dhe produktet shëndetësore.
Përdorimi i kanabisit mjekësor do të lejohet ekskluzivisht në spitale, të cilat do të jenë gjithashtu të vetmet objekte që e japin atë (nuk do të jetë i disponueshëm në farmaci).
Për më tepër, dekreti e autorizon atë vetëm “kur trajtimet konvencionale dështojnë”.
Posedimi i kanabisit është dekriminalizuar në Spanjë, megjithëse ligjet ndryshojnë midis komuniteteve të ndryshme autonome.
Në Katalonjë, sipas një rregulloreje lokale të diskutueshme, është e mundur të konsumohet dhe kultivohet brenda klubeve.
Në Itali, kanabisi për përdorim terapeutik është i ligjshëm që nga viti 2006, por është i vështirë për t’u siguruar dhe shumë i shtrenjtë./ /os/