FOKUS – Trump: Dyfishojmë tarifat për importet e çelikut dhe aluminit nga 25% në 50

PITSBURG, 31 maj /ATSH – Presidenti Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë tarifën aktuale për importet e çelikut dhe aluminit nga 25% në 50% duke filluar nga e mërkura, shkruan BBC.
Duke folur në një tubim në Pittsburgh të Pensilvanisë, Trump tha se ”ky veprim do të ndihmonte në nxitjen e industrisë lokale të çelikut dhe furnizimit vendas, duke zvogëluar varësinë nga Kina”.
Trump tha gjithashtu se 14 miliardë dollarë do të investoheshin në prodhimin e çelikut në rajon përmes një partneriteti midis U.S. Steel dhe Nippon Steel të Japonisë.
“Nuk do të ketë pushime nga puna të asnjë lloji, dhe çdo punëtor amerikan i çelikut së shpejti do të marrë një bonus prej 5,000 dollarësh të merituar”, tha Trump para turmës së mbushur me punëtorë çeliku, nën duartrokitje të zjarrta.
Një nga shqetësimet kryesore të punëtorëve të çelikut në lidhje me marrëveshjen tregtare SHBA-Japoni ishte se ”si Japonia do të zbatonte kontratën e saj sindikale që rregullon pagat dhe punësimin”.
Trump e filloi fjalimin e tij duke thënë se kishte “shpëtuar” kompaninë U.S. Steel me seli në Pittsburgh, prodhuesin më të madh amerikan të çelikut, me tarifën prej 25 përqind që prezantoi gjatë mandatit të tij të parë si president në vitin 2018.
Si shitjet ashtu edhe fitimet e U.S. Steel kanë rënë vitet e fundit. Trump e ka promovuar rritjen prej 50 përqind si një mënyrë për të siguruar mbijetesën e U.S. Steel.
“Me 50 përqind, ata nuk mund të kalojnë më kufirin. Ne do ta rikthejmë çelikun e Pensilvanisë në shtyllën kurrizore të Amerikës edhe një herë, si kurrë më parë”, theksoi ai. /os/