FOKUS – Trupat ruse depërtojnë në lindje të Ukrainës, qyteti kyç në Donbas rrezikon rrethimin

KIEV, 22 qershor /ATSH/- Forcat ruse kanë depërtuar në qytetin strategjik të Kostjantinivkës, në lindje të Ukrainës dhe po përpiqen ta rrethojnë atë, sipas ushtarëve ukrainas në terren, raportoi BBC.
Burime ushtarake ukrainase thonë se qyteti është kthyer praktikisht në një “zonë gri”, ku kontrolli i plotë nuk i përket më asnjërës palë.
Sipas tyre, ushtarët rusë po futen në zona të qytetit nga drejtime të ndryshme, duke e bërë shumë të vështirë largimin e tyre në kushtet e luftimeve urbane.
Kostjantinivka konsiderohet një pikë kyçe hyrëse, drejt pjesës tjetër të rajonit të Donbasit.
Nëse bie në duart e Rusisë, forcat e Moskës do të mund të afrohen më tej drejt qyteteve, Kramatorsk dhe Slovjansk, bastionet e fundit të mëdha ukrainase në lindje.
Moska pretendon se trupat e saj po avancojnë me shpejtësi në jugperëndim të qytetit dhe se kanë rrethuar njësi ushtarake ukrainase.
Kievi e ka mohuar këtë pretendim, ndërsa komandanti i Korpusit të 19-të ukrainas, gjeneral brigade Oleksandr Bakulin, deklaroi se situata mbetet nën kontroll, megjithëse pranon se rreth 130 ushtarë rusë ndodhen ende brenda qytetit.
Sipas oficerëve ukrainas në terren, Rusia po përdor taktika të ngjashme me ato që sollën pushtimin e Pokrovskut, duke avancuar për të izoluar qytetin dhe për të ndërprerë rrugët e furnizimit.
Një tjetër problem serioz për Ukrainën është aktiviteti i dronëve rusë.
Pilotët ukrainas thonë se njësitë ruse po godasin sistematikisht ekipet e dronëve ukrainas dhe po përdorin edhe dronë të lirë kinezë për zbulimin e pozicioneve dhe bazave të lëshimit.
Furnizimi i forcave ukrainase është bërë gjithnjë e më i vështirë, pasi rrugët tokësore janë nën zjarr të vazhdueshëm dhe dronët logjistikë shpesh rrëzohen para se të arrijnë destinacionin.
Projekti ukrainas i monitorimit të frontit “DeepState” paralajmëron se avancimi i Rusisë në Kostjantinivk mund të jetë vetëm çështje kohe.
Sipas tij, humbja e qytetit do ta komplikonte ndjeshëm logjistikën ushtarake ukrainase dhe do ta bënte shumë më të rrezikshme mbajtjen e pozicioneve në Kramatorsk.
Ndërkohë, ushtarë ukrainas ankohen për mungesë përforcimesh dhe vështirësi në zëvendësimin e humbjeve në front, duke paralajmëruar se pa ndryshim të strategjisë, avancimi rus mund të vazhdojë. //a.i/