FOKUS – Vendet e rajonit dënojnë sulmet izraelite në Gaza, Izraeli akuzon Hamasin

STAMBOLL, 7 gusht /ATSH/- Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Turqisë dhe disa vendeve të tjera kanë dënuar sulmet izraelite, duke i cilësuar, si shkelje të vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, sipas “Reuters”.
Në deklaratën e tyre, vendet rajonale akuzuan Izraelin për sulme ndaj qendrave shëndetësore, objekteve mjekësore dhe infrastrukturës civile.
Qeveria izraelite e hodhi poshtë këtë deklaratë, duke thënë se ajo “shtrembëron realitetin”.
Izraeli akuzoi Hamasin se vazhdon të armatoset, të rekrutojë luftëtarë, të rindërtojë tunele dhe të përgatitet për sulme të reja.
Zëdhënësi i kryeministrisë izraelite tha se kushti i parë i planit amerikan për paqe, është krijimi i një Gaze të çmilitarizuar, pa grupe terroriste, por sipas tij Hamasi nuk e ka respektuar këtë kërkesë.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, sulmet izraelite në Gaza gjatë nëntë muajve të fundit, kanë shkaktuar rreth 1 200 viktima palestineze, shumë prej tyre gra dhe fëmijë.
Hamasi zakonisht nuk e publikon numrin e viktimave të tij.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar së fundmi se ka pasur progres në planin e tij për përfundimin e luftës dhe se Hamasi ka rënë dakord të dorëzojë armët. //a.i/