E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Zelensky drejt Turqisë, takim me Erdogan për luftën në Ukrainë

ANKARA, 30 tetor /ATSH -DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojë një vizitë në Turqi të shtunën, ku do të takohet me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan. Në fokus të bisedimeve do të jenë lufta me Rusinë dhe siguria në Detin e Zi, njoftoi të premten Presidenca turke.

“Diskutimet në Stamboll do të përqendrohen në masat për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh mes Turqisë dhe Ukrainës, si dhe në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht konfliktin ruso-ukrainas dhe situatën e sigurisë në Detin e Zi”, deklaroi në rrjetin social X drejtori i Komunikimit i Presidencës turke, Burhanettin Duran.

Gjatë një bisede telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, të mërkurën, Erdogan deklaroi se Turqia është e gatshme të mbështesë përpjekjet për rifillimin e bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, me synim përfundimin e luftës përmes negociatave.

Turqia, e shqetësuar nga sulmet në Detin e Zi, i ka paraqitur Kievit dhe Moskës një memorandum mirëkuptimi për t’i dhënë fund sulmeve ndaj anijeve tregtare, kishte deklaruar në shtator një burim diplomatik turk për AFP-në.

Propozimi bazohej në marrëveshjen për eksportin e drithërave, të arritur në korrik 2022 mes Moskës dhe Kievit, nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara, e cila zgjati vetëm një vit.

Turqia, e cila mban marrëdhënie të ngushta si me Moskën, ashtu edhe me Kievin, ka ofruar vazhdimisht të presë bisedime të mundshme paqeje mes dy vendeve.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›