E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Zelensky kritikon Rusinë për cinizëm të nivelit më të lartë

KIEV, 4 maj /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën për cinizëm, duke thënë se sulmet ruse ndaj Ukrainës po vazhdonin të pandërprera vetëm disa ditë pasi Kremlini shpalli në mënyrë të njëanshme një armëpushim tre-ditor.

“Rusët po bëjnë thirrje për armëpushim më 9 maj dhe po qëllojnë Ukrainën çdo ditë. Ky është cinizëm i nivelit më të lartë”, shkroi Zelensky në Telegram.

Ai pretendoi se ushtria ruse sulmoi Ukrainën me 1 180 dronë dhe 1 360 bomba ajrore të drejtuara brenda një jave.

”Vetëm mbrëmë, 165 dronë u lëshuan kundër Kievit, Kharkivit, Cherkasy dhe Mykolaiv”, theksoi Zelensky, ndërsa rajonet e Donetskut dhe Sumit janë sulmuar me bomba të rënda ajrore që nga mëngjesi i së dielës.

Zelensky përsëriti se Ukraina mbetet e hapur për një armëpushim, por një armëpushim që nuk do të prekë vetëm festat ruse.

Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur një armëpushim të njëanshëm 72-orësh që përkon me paradën vjetore të Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq të Moskës për të shënuar fundin e Luftës së Dytë Botërore, të cilën Rusia e shënon të premten, më 9 maj. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›