FOKUS – Zelensky pranon të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, por refuzon të lëshojë territor

BERLIN, 15 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu dje gatishmërinë për të hequr dorë nga përpjekja e vendit të tij për t’u bashkuar me NATO-n në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë, por kundërshtoi presionin e SHBA-së për t’i lëshuar territor Rusisë, ndërsa zhvilloi bisedime me të dërguarit e SHBA-së në Berlin, për t’i dhënë fund luftës, sipas “Le Monde”.
Zelensky zhvilloi bisedime me të dërguarin special të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner.
“Meqenëse SHBA-ja dhe disa vende evropiane kanë refuzuar përpjekjen e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n, Kievi pret që Perëndimi të ofrojë një sërë garancish të ngjashme me ato të ofruara anëtarëve të aleancës”, tha Zelensky duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
“Këto garanci sigurie janë një mundësi për të parandaluar një valë tjetër agresioni rus. Dhe ky është tashmë një kompromis nga ana jonë”, shtoi presidenti ukrainas.
Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar përpjekjen e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n – si një kërcënim të madh për sigurinë e Moskës dhe një arsye për nisjen e pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Kremlini ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në aleancë si pjesë e çdo zgjidhjeje të mundshme paqeje.
Zelensky theksoi se çdo garanci sigurie do të duhet të ishte ligjërisht e detyrueshme dhe e mbështetur nga Kongresi Amerikan, duke shtuar se ai priste një përditësim nga ekipi i tij – pas një takimi midis zyrtarëve ushtarakë ukrainas dhe amerikanë në Shtutgart të Gjermanisë.
Putini kërkon që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga disa pjesë të rajonit të Donetskut që është ende nën kontrollin e saj – ndër kushtet kryesore për paqe, dhe një kërkesë e refuzuar nga Kievi.
Zelensky tha se SHBA-ja kishte hedhur idenë që Ukraina të tërhiqej nga Donetsku dhe të krijonte një zonë të lirë ekonomike të demilitarizuar atje, një propozim që ai e kundërshtoi duke e konsideruar si të pazbatueshme.
“Nuk e konsideroj të drejtë këtë, pasi kush do ta menaxhojë këtë zonë ekonomike?,” tha ai.
“Nëse po flasim për një zonë tampon përgjatë vijës së kontaktit, nëse po flasim për një zonë ekonomike dhe besojmë se vetëm një mision policor duhet të jetë atje dhe trupat duhet të tërhiqen, atëherë pyetja është shumë e thjeshtë. Nëse trupat ukrainase tërhiqen 5-10 kilometra, për shembull, atëherë pse trupat ruse nuk duhet të tërhiqen më thellë në territoret e pushtuara me të njëjtën distancë?”, tha Zelensky. //a.i/