E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Zjarr në jug të Francës, evakuohen 3 000 persona

PARIS, 2 korrik /ATSH-AFP/ – Rreth 3 000 persona u evakuuan sot nga kampingjet, bizneset dhe disa zona të banuara në Canet-en-Roussillon, në jug të Francës, pas  një zjarri të madh që u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta.

Sipas autoriteteve lokale, flakët shpërthyen pranë Sainte-Marie-la-Mer, kaluan lumin Tet dhe arritën në zonën industriale detare të Canet-en-Roussillon, ku ndodhen objekte me materiale të ndezshme.

Rreth 200 zjarrfikës, katër helikopterë dhe një avion zjarrfikës Dash, u angazhuan për të vënë nën kontroll flakët dhe për të mbrojtur zonën industriale.

Zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale. Disa kampingje u prekën rëndë, ndërsa një ndërtesë e një kompanie që prodhon dhe merret me mirëmbajtjen e anijeve u shkatërrua nga flakët.

Personat e evakuuar u strehuan përkohësisht në qendra pritjeje, ndërsa autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve dhe monitorimin e situatës.

Franca po përballet me një sezon të vështirë zjarresh, të favorizuar nga vala e të nxehtit dhe thatësira.

Sipas qeverisë franceze, që nga fillimi i sezonit janë regjistruar rreth 7 000 vatra zjarri dhe janë djegur afro 8 700 hektarë tokë. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›