FOTOT – Makina del në krah të kundërt të rrugës, shkakton një viktimë, shoferi largohet nga vendngjarja

Një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën e ish-Kënetës (Durrës), që lidhet me unazën e qytetit. Një automjet, i cili po udhëtonte me shpejtësi të madhe, ka humbur kontrollin duke kaluar trafikndarësen e rrugës për të përfunduar më pas në krahun e kundërt të saj. Për pasojë ka humbur jetën një shtetas, i cili në atë moment po lëvizte me biçikletë.
Gjatë devijimit, automjeti me targa AA 080 CH, fillimisht ka goditur shtetasin me inicialet F. GJ, rreth 50 vjeç, që po ecte me biçikletë, duke i shkaktuar vdekjen. Më pas makina ka goditur edhe një shtetas që po lëvizte me motor, si dhe një automjet të parkuar, për të përfunduar duke u përplasur me fasadën e një servisi automjetesh.
Pas kësaj, drejtuesi i makinës që shkaktoi një viktimë dhe këtë serial përplasjesh është larguar nga vendi i ngjarjes.
“Rreth orës 17:30, në lagjen 14/1 Durrës, një automjet me drejtues shtetasin L. Z, është përfshirë në një aksident me një motomjet me drejtues shtetasin Sh. S, dhe një biçiklist shtetasin F. Gj. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi F.Gj, rreth 50 vjeç. Drejtuesi i automjetit shtetasi L. Z, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon puna për kapjen e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.”, njofton policia.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë humbja e kontrollit te automjetit për shkak të shpejtësisë së madhe tej normale të lejuara.
/rtsh.al/