FOTOT- Rama: Deputetët e PS-së në Vlorë, në terren për problematikat publike

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur të mërkurën në mbrëmje se deputetët e Partisë Socialiste (PS) të zgjedhur në qarkun e Vlorës, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, janë duke punuar aktivisht në terren. Qëllimi i tyre është të identifikojnë problemet lidhur me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike në qytet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi rëndësinë e lidhjes së drejtpërdrejtë me komunitetin. Ai e cilësoi marrjen e 9 mandateve historike në Vlorë si një “borxh të jashtëzakonshëm” që duhet shlyer me punë konkrete.
“Skuadra e 11 majit për Vlorën është dhe do të vazhdojë të jetë në terren, për të bërë inventarin e problematikave me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet, duke dëgjuar qytetarët nga qendra në periferi, në respekt të plotë të 9 mandateve historike që na dhanë, e të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer, në radhë të parë duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet, po duke dëgjuar e punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm,” shkroi Rama.
Ky angazhim vjen në një kohë kur në disa qytete të vendit po zhvillohet një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.
/rtsh.al/