E Enjte, 5 Nëntor 2026

FRANCË – Kryeministri Attal jep dorëheqjen

PARIS, 7 korrik /ATSH-AFP/ –  Kryeministri francez Gabriel Attal njoftoi se do t’i dorëzojë nesër dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron, pas zgjedhjeve legjislative, duke specifikuar se ai mund të qëndrojë në postin e tij “për aq kohë sa e kërkon detyra”, veçanërisht në kontekstin e Lojërave Olimpike që Franca po përgatitet për të pritur.

“Do t’ia paraqes dorëheqjen Presidentit të Republikës nesër në mëngjes”, deklaroi ai teksa e majta doli e para në zgjedhjet legjislative, përpara kampit makronist dhe të djathtës ekstreme.

”Por, ndërsa Franca po përgatitet të mirëpresë botën brenda pak javësh për Olimpiadën, unë padyshim që do të marr funksionet e mia për aq kohë sa ta kërkojë detyra”, shtoi ai.

E djathta ekstreme  franceze ”Rassemblement National” (RN) nuk ka arritur të fitojë shumicën në zgjedhjet parlamentare duke sfiduar pritshmëritë e shumë vëzhguesve politikë, sipas BBC.

Sipas AFP, aleanca e majtë ka mes 172 dhe 215 vende, makronistët 150 deri në 180 dhe RN 115 deri në 155 vende.

Të gjitha mediat kryesore franceze po tregojnë parashikime të hershme të një fitoreje të aleancës së krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor (NFP).

Në shumë vende, kandidatët e majtë ose të qendrës ishin tërhequr, për të lejuar që vota kundër RN të përqendrohej në një pretendent, pasi partia e ekstremit të djathtë rezultoi mirë në raundin e parë të votimit javën e kaluar.

Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të tensionuar, me 30 000 policë të vendosur në të gjithë Francën

Pamja do të bëhet më e qartë në orët e ardhshme pasi të dalin rezultatet./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›