E Martë, 3 Nëntor 2026

FRANCË – Ministri i Jashtëm: Konfrontimi ushtarak i pashmangshëm nëse bisedimet bërthamore SHBA- Iran dështojnë

PARIS, 7 prill /ATSH/- Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot paralajmëroi se një konfrontim ushtarak me Iranin do të ishte “pothuajse i pashmangshëm” nëse bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit dështonin, sipas “France24”.

“Në rast dështimi, një konfrontim ushtarak do të jetë pothuajse i pashmangshëm”, tha Jean-Noel Barrot në parlament, duke shtuar se kjo do të destabilizonte rëndë rajonin.

Më herët, presidenti Emmanuel Macron kryesoi një takim për çështjen bërthamore të Iranit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se Irani do të bombardohet nëse vazhdon të zhvillojë armë bërthamore. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka premtuar se do të kundërpërgjigjet.

“Besimi dhe bindja jonë mbeten të paprekura. Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore”, tha Barrot.

“Prioriteti ynë është të arrijmë një marrëveshje që kufizon në mënyrë të verifikueshme dhe të qëndrueshme programin bërthamor iranian,” shtoi ai.

Që nga marrja e detyrës në janar, Trump ka rikthyer politikën e tij të “presionit maksimal”, e cila në mandatin e tij të parë bëri që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të tërhiqeshin nga marrëveshja historike e vitit 2015 mbi programin bërthamor të Iranit dhe të rivendosjen e sanksioneve ndaj Teheranit.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë akuzuar prej kohësh Iranin se prodhon armë bërthamore, të cilën Teherani e ka mohuar, duke këmbëngulur se aktivitetet e tij pasuruese janë vetëm për qëllime paqësore.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive botërore kërkonte që Irani të kufizonte përpunimin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Ankesa kundër Iranit

Barrot njoftoi gjithashtu se Franca “së shpejti” do të paraqiste një ankesë kundër Iranit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për fatin e dy shtetasve francezë të arrestuar.

“Ankesa do të paraqitet për “shkeljen e të drejtës për mbrojtje konsullore”, tha ai, duke iu referuar Cecile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët u arrestuan në Iran në maj 2022 me akuzat se kërkonin të nxisnin protesta.

Vendet perëndimore kanë akuzuar për vite me radhë Iranin për arrestimin e shtetasve të tyre me akuza të sajuara në një politikë të marrjes peng nga shteti për t’i përdorur ata si pazare për të nxjerrë koncesione.

“Ne do të rrisim presionin mbi regjimin iranian edhe më tej”, tha Barrot.

Ai tha gjithashtu se në ditët në vijim, do të shpalleshin sanksione shtesë evropiane kundër zyrtarëve iranianë përgjegjës për politikën e marrjes së pengjeve nga shteti. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›