FSHF dhe bashkia Përrenjas, marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e dy fushave të reja sportive

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit dhe bashkia Përrenjas kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e dy fushave të reja, një investim i rëndësishëm për të rikthyer futbollin në këtë qytet.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Bashkisë Përrenjas, ishin të pranishëm Kryetari Nuri Belba, Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, si dhe përfaqësues të departamentit të projekteve në FSHF.
Aktualisht, Përrenjasi nuk ka asnjë fushë që plotëson kushtet e duhura për stërvitjen e fëmijëve, ç’ka ka ndikuar edhe në pezullimin e aktiviteteve të akademisë sportive Domosdova.
Me ndërtimin e dy fushave të reja me bar artificial, një fushë me përmasa olimpike dhe një mini-fushë, fëmijët e këtij qyteti do të kenë sërish mundësinë të stërviten dhe të ndjekin pasionin për futbollin.
Ky projekt është pjesë e vizionit të Federatës së Futbollit për të rritur numrin e fëmijëve që merren me sport, duke ndikuar pozitivisht në shëndetin dhe edukimin e tyre.
1 nga 4/a.f/