E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF event mirënjohjeje për Silvinjon dhe stafin kuqezi

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Federata e Futbollit organizoi një event mirënjohjeje dhe falënderimi për ish-trajnerin e ekipit Kombëtar të Shqipërisë, Silvinjo, si edhe për dy zv.trajnerët, Dorival dhe Pablo Zabaleta, për kontributin dhe punën e tyre gjatë tre viteve e gjysmë në krye të kuqezinjve.

Në këtë aktivitet morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, administrata e FSHF-së, përfaqësues të medias, ish-futbollistë të Kombëtares, sponsorë dhe bashkëpunëtorë të Federatës.

Në një atmosferë vlerësimi dhe respekti, presidenti Duka falënderoi stafin teknik për profesionalizmin, përkushtimin dhe mënyrën dinjitoze me të cilën përfaqësuan fanellën kuqezi, duke veçuar si moment kulmor kualifikimin historik dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në Euro 2024. Si shenjë mirënjohjeje, Duka u dhuroi trajnerëve nga një fanellë të Kombëtares me mbishkrimin “Forever”, në vlerësim të kontributit të tyre në historinë e futbollit shqiptar.

Në fjalën e tij, presidenti Duka theksoi se stafi teknik ka lënë gjurmë jo vetëm për rezultatet sportive, por edhe për dinjitetin, përkushtimin dhe mënyrën se si përfaqësuan fanellën kuqezi.

Ai sqaroi se ndryshimi i stafit vjen si pjesë e mbylljes së një cikli dhe hapjes së një etape të re për ekipin Kombëtar, jo për mungesë rezultatesh apo motivimi. Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë stafin dhe u uroi suksese në karrierë dhe jetë.

“Në këtë histori, keni marrë edhe një pjesë të historisë së Shqipërisë, një pjesë të historisë tonë dhe të Kombëtares tonë, që besoj se është gjëja më e bukur dhe besoj se do t’ju ketë zbukuruar dhe do t’ju mungojë në të ardhmen. Ne jemi sot këtu të gjithë, për t’ju falënderuar për kontributin tuaj në futbollin shqiptar me ekipin Kombëtar, që realisht është simboli i futbollit shqiptar, simboli i të gjithë shqiptarëve. Gjatë 3 viteve, Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta kanë dhënë një kontribut maksimal. Kanë përjetuar momente të bukura, jo vetëm në rezultate”, tha Duka.

“Ne kemi vendosur që ta ndryshojmë stafin e ekipit Kombëtar, sepse këto janë rregullat e futbollit, sepse futbolli i ekipeve Kombëtare nuk është njësoj si ai i klubeve. Në klube mbase ke mundësi të ndryshosh lojtarët, ndërsa në ekip Kombëtar mbetet për të ndryshuar vetëm stafi, sepse lojtarët nuk ndërrohen, nuk shiten dhe nuk blihen lojtarët e ekipit Kombëtar. Ky është slogani që ne përdorim: mbyllet një cikël dhe hapet një cikël tjetër, për këtë arsye. Jo për arsye të mungesës së motivimit, përkushtimit dhe të rezultateve të ekipit Kombëtar. Duke qenë se ne sot jemi për këtë lloj ndryshimi, për t’i falënderuar stafin e ekipit Kombëtar, në të njëjtën kohë do të doja të falënderoja, sepse edhe një pjesë tjetër e stafit është zëvendësuar”, vijoi ai.

Silvinjo u shpreh i lumtur dhe krenar për periudhën në krye të Kombëtares shqiptare, duke theksuar se përtej rezultateve sportive, ajo që do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij janë marrëdhëniet njerëzore dhe bashkëpunimi i përditshëm me stafin e FSHF-së. Trajneri brazilian falënderoi të gjithë punonjësit e Federatës për mbështetjen dhe vlerësoi frymën e unitetit që, sipas tij, ka shoqëruar ekipin gjatë gjithë rrugëtimit.

“Kur dikush e merr përsipër një punë, e merr përsipër që ta bëjë në 100% të saj. Ka raste që puna shkon mirë, ka raste që nuk shkon mirë. Kështu është futbolli. Unë bëj një profesion shumë të vështirë, shumë prej jush këtu e dini. Tani flasim për 3 vite e gjysmë. Jam absolutisht i lumtur për atë që kemi bërë. Kemi thënë që nga dita e parë që “Ne jemi një”.

Nuk do doja të flisja për Euro 2024, kualifikueset e Botërorit apo fazën play-off. Unë do doja të flisja për më shumë se 100 persona që jetojnë dhe punojnë për Federatën. Me shumë prej jush kam pasur mundësi të bëj një bisedë të bukur dhe të pi një kafe. E kujtoj ende që 3 vite më parë, në katin e katërt ku është presidenti, aty ishte kafeja. Në orën 9 të mëngjesit shkoja aty dhe, ditë pas dite, kam pirë kafe me secilin prej jush dhe kam dëgjuar secilin prej jush që punoni në atë vend të bukur pune. Do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Përtej çdo gjëje që kemi parë këtu, që është e bukur, të emocionon, por sidomos ju, raporti human, këtë nuk do ta harroj kurrë. Secilin prej jush e kam në zemrën time. Faleminderit shumë, mirupafshim”, tha Silvinjo.

Dorival shprehu emocionet dhe mirënjohjen për periudhën e kaluar në Shqipëri, duke falënderuar të gjithë punonjësit e FSHF-së për mikpritjen dhe bashkëpunimin e përditshëm. Ai theksoi se eksperienca me Kombëtaren shqiptare do të mbetet një nga kujtimet më të veçanta të jetës dhe karrierës së tij.

“Shumë emocione. Unë do të doja të falënderoja të gjithë ata që punojnë në Federatë. Ka qenë vërtet një kënaqësi e madhe të isha pjesë e këtij vendi, të jetoja këtu, të takoja secilin prej jush çdo ditë; kjo më bënte të lumtur. I jam mirënjohës Zotit që kam pasur këtë eksperiencë në jetën time dhe që do të mbetet gjithmonë në zemrën time”, tha Dorival.

Pablo Zabaleta vlerësoi rolin dhe përkushtimin e të gjithë njerëzve që punojnë në Federatë, duke theksuar se çdo sukses i ekipit Kombëtar është rezultat i punës së përbashkët. Ish-mbrojtësi argjentinas u shpreh mirënjohës për periudhën e kaluar në Shqipëri dhe nënvizoi se lidhja me FSHF-në dhe me vendin tonë do të mbetet gjithmonë e veçantë për të.

“Unë do flas në anglisht, sepse nuk jam aq i mirë sa Silvinjo dhe Dori në italisht. Për mua është e njëjta gjë. Dua të them diçka: çdo organizatë është e përbërë nga njerëzit. Sigurisht, suksesi është në fushë dhe ndihmon, por çdo organizatë është e përbërë nga njerëzit. Përkushtimi, pasioni dhe çdo sukses pas ekipit jeni të gjithë ju, secili prej jush në Federatë. Siç thanë Silvio dhe Dori, kam qenë shumë me fat që kam qenë pjesë e këtij vendi, e kësaj Federate. Është diçka që do të mbetet me mua përjetë”, tha Zabaleta.

Nga aktiviteti i FSHF për Sylvinjon dhe stafin e tij 1 nga 8

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›