FSHF masa të ashpra pas incidenteve në takimin AF Elbasani-Vllaznia

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka dhënë sot dënimet pas incidenteve të rënda të regjistruara në futbollin shqiptar, me Vllazninë që merr goditjen më të fortë.
Kështu, AF Elbasani, për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë, për incidentet e ndodhura pas përfundimit të ndeshjes, si brenda ashtu edhe në afërsi të stadiumit është dënuar me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Dënimi më i rëndë është marrë për zyrtarin e KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes është dënuar me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Gjithashtu atij i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet gjatë zhvillimit të veprimtarive sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundimin e dënimit.
Trajneri i Vllaznisë Edi Martini është dënuar me 6 ndeshje pezullim, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Ndërkohë, zyrtari i Vllaznisë, Elis Dervishaj merr 4 ndeshje pezullim, po për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Në total, vetëm tre zyrtarët e Vllaznisë grumbullojnë 25 ndeshje pezullim, një nga goditjet më të forta disiplinore të fundit ndaj një klubi shqiptar.
Edhe trajneri Ilir Daja i Dinamo City është ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës. Ai është dënuar me 2 ndeshje pezullim, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes.
Po sot Komisioni ka shqyrtuar edhe disa kërkesa të tjera. Është pranuar kërkesa e lojtarit të Partizanit, Human Lancaster Rowan, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, ndërsa janë rrëzuar kërkesat e Delvinës, Brajan Selmanit të Ilirisë dhe Bruno Telushit të Orikut.
Vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës mund të ankimohet brenda tri ditëve pranë Komisionit të Apelit.