E Diel, 1 Nëntor 2026

FUTBOLL – Zinedine Zidane trajneri i ri i Francës

PARIS, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Emërimi i Zinedine Zidane si trajner i kombëtares së Francës është tashmë çështje e përfunduar, sipas ekspertit të merkatos Fabrizio Romano, i cili deklaroi sot në Instagram se 54-vjeçari ka nënshkruar një kontratë me “Les Bleus” deri në mesin e vitit 2030.

Prej kohësh pritej që ai të zëvendësonte Didier Deschamps, i cili është larguar pas 14 vitesh në krye të kombëtares, pas përfundimit të Francës në vendin e katërt në Kupën e Botës, ndërsa më parë e kishte shpallur kampione bote në vitin 2018.

Edhe gazeta kryesore sportive franceze “L’Équipe“ raportoi së fundmi se ish-kampioni i botës dhe i Evropës do të merrte drejtimin e kombëtares franceze.

Deri më tani, Federata Franceze e Futbollit (FFF) nuk ka dhënë asnjë konfirmim zyrtar për emërimin e Zidane.

Zidane drejtoi Real Madridin nga viti 2016 deri në 2018 dhe më pas nga 2019 deri në 2021, duke fituar tri herë Ligën e Kampionëve dhe dy herë kampionatin spanjoll.

Si futbollist, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 1998 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2000, si edhe triumfoi në Ligën e Kampionëve me Real Madridin në vitin 2002.

Në ndeshjen e fundit të karrierës së tij si profesionist, Zidane humbi finalen e Kupës së Botës 2006 ndaj Italisë dhe u përjashtua me karton të kuq pasi goditi me kokë një kundërshtar./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›