Fabio Capello: Sfidat e mia në Rusi
Milna, Roma, Juventus, Real Madrid. Capello është trajneri që ka fituar gjithçka. Lamtumira angleze dhe drejtimi i Rusisë. Sfidat e reja zotërisë së hekurt
Më kujtohej aroma e Lindjes. Nuk di si ta përcaktoj mirë, por e di që ishte. Po e kërkoj prej disa ditësh, por nuk po e gjej dot. Fabio Capello, trajneri i ri i skuadrës kombëtare ruse të futbollit, është një njeri shumë kureshtar. Kur shkon në një qytet që nuk e njeh, nuk është stadiumi vendi i parë që viziton. I pëlqejnë muzetë, stacionet, qendrat tregtare, kultura e vendit. I pëlqen të gërmojë paksa sa andej këndej. Aroma e Lindjes ishte një lloj përzierje, diçka mes perimeve të pjekura dhe pluhurit. Kam qenë në Moskë në vitin 1975, d.m.th shumë vite më parë. Atëherë aroma e Lindjes gjendej tek skrapamentot e makinave. Më kujtohet që nga marmitat e tyre dilte një tym sterrë i zi. Tani gjërat kanë ndryshuar shumë me atëherë, por mua më pëlqente ajo aromë. Ndoshta kjo aromë e sotme quhet modernizëm. Kam nisur të shëtis botën që fëmijë, kam parë vërtet me sy e mi gjërat teksa ndryshojnë. Kur dëgjoj të flitet për globalizimin, mendoj edhe për fundin e disa aromave të veçanta, të disa ndjesive po aq të veçanta që ishin të lidhura me një vend të caktuar dhe me asnjë tjetër. E, në historinë e tij të gjatë si trajneri Fabio Capello ka kërkuar dhe ka ndier shumë aroma të reja. Nuk është ndaluar para asgjëje dhe, pavarësisht vështirësive, ka vazhduar të ecë përpara i qetë. Edhe zgjedhja për të drejtuar Rusinë në moshën 67 vjeçare, pas detyrës së trajnerit anglez tregon në një farë mënyre për guximin e këtij njeriu për të provuar sfida të reja. Vendi është jashtëzakonisht i madh. Gjëja e parë që duhet të bëj është njohja. Të shoh ndeshjet dhe lojtarët pa pushim. Nga dritarja e hotelit të tij në Moskë, një zgjedhje e përkohshme qëndrimi, shihen pallate dhe lugina pa fund, por asgjë që mund ta identifikojë Moskën si një vend i veçantë. Gjithsesi, në krahasimin e diferencave kërkohet kuptimi i një zgjedhjeje të bërë dhe ajo e Capellos është vërtet komplekse: të jesh padroni i një sistemi sportiv tashmë ndër më të fuqishmit e planetit, me paratë e oligarkëve, të naftës dhe forca organizative e një gjiganti antik. Objektivi i Capello-s është të arrijë Botërorin e Brazilit në 2014-ën, ndërsa politik është të befasojë botën në 2018-ën, kur kupa e gjitha prej ari do të dorëzohet pikërisht në Moskë, brenda stadiumit Lenin. E pamundur të thuhet nëse Capello atë ditë do të jetë në krye të një skuadre të talentuar, plot resurse, por disi e paqëndrueshme (në kampionatin europian zhvilloi disa ndeshje të shkëlqyera, pastaj u eliminua që në raundin e parë), por gjithashtu është e pamundur të thuhet me siguri se ai nuk do të jetë aty. Fabio Capello nuk është vetëm një trajner i madh, por edhe një observator i veçantë. Është një italian ndryshe nga të tjerët. Di të jetë i qartë dhe i drejtë në atë që bën. Nuk është aspak diplomat, është i ashpër dhe i thotë gjërat hapur. Me të nuk është e lehtë të krijosh miqësi, por nëse ia arrin nuk mbetesh kurrë i zhgënjyer. Java e Fabio Capello-s nis në Marbella, ku prej shumë vitesh ka shtëpinë e tij, vazhdon në Stokholm dhe përfundon në Rusi, gjithmonë në kërkim të terreneve të reja për të eksploruar. Ja çdo të thotë të jesh i çmendur pas futbollit, dhe jo vetëm. Pasioni është ai që na mban gjallë dhe Capello edhe pse 67 vjeç tregon se ky pasion është i njëjtë si atëherë kur e kuptoi se e gjithë jeta e tij do të ishte e lidhur me këtë sport.
Capello si të duket Italia sot?
Unë jam shumë krenar që jam italian, por vuaj për atë që ndodh në vendin tim, dikur i vlerësuar dhe sot i lënë mënjanë. Na adhuronin të gjithë, ndërsa tani nuk na kuptojnë më, sepse e kanë kuptuar rrëmujën ku ne jetojmë. Nga afër edhe nga larg Italia sot është bërë për të ardhur keq për të.
Zgjedhja juaj për të punuar jashtë vendit, është thjesht çështje kontrate, çështje zanati?
Në Spanjë, Angli është shumë herë më mirë. Gjithçka është më e thjeshtë. Ndoshta edhe në Rusi, por këtë do jua them më vonë. Ne shpikim rregullat, po nuk i respektojmë, ndërsa të tjerët po. Jemi egoistë. Në qytetërimin e supermarketeve mendojmë vetëm për dyqanin tonë dhe interesat e lidhura me të. Edhe në politikë është kështu. Por kjo nuk është aspak e mirë. Burokracia po na vret.
Pse egoistë?
Sepse në zgjidhjen e një problemi na intereson vetëm ajo që lidhet me interesat tona personale. Pra, mendojmë se ajo është zgjedhja. Jemi të pastër në shtëpinë tonë dhe të pistë në rrugë. Shtiremi sikur e duam të mirën e përgjithshme, por jo, kjo nuk është e vërtetë. Në Londër pasuria e përbashkët është e të gjithëve dhe të gjithë përpiqen me shpirt për ta ruajtur. Nuk sheh një karton në rrugë, sepse, edhe kur dikush e hedh gabimisht, dikush tjetër e merr dhe e vendos në kosh.
Italia po varfërohet shumë, mund të jetë sporti çelësi i ringjalljes?
Nuk e kuptoj përse një investitor i huaj duhet të investojë tek ne paratë e tij. Në Angli kjo ndodhi dhe e shpëtoi futbollin. Në Itali nuk mund të ndërtosh më asnjë stadium. Duhen shekuj për ta bërë këtë. Ligje dhe burokraci pa fund, që nuk të lënë të ngresh kokën. Në stadiumet angleze qëndron sikur je në hotel. Janë të mrekullueshëm. Ne mund ta shfrytëzonim rastin në Italia 90, por nuk e bëmë. Të gjitha raste të humbura kot.
Kampionati ka nisur pa emra yjesh të mëdhenj, por me disa të rinj më shumë. Si ju duket ky shkëmbim?
Na duhet ta pranojmë, se jemi më të varfër dhe më të mirët janë larguar. E sigurt që spektakli do të mungojë. Të rinjtë janë një armë e fuqishme, por duhet pasur guximi ti fusim në fushën e lojës për ti provuar. Duhet edhe durimi për ti pritur të rriten. Talentet shihen që në fillim, por duhet shumë kohë që të piqen.
Akoma nuk është mbyllur sezoni i skandaleve, gjykatave trukimeve. Do arrijmë ti evitojmë ndonjëherë?
Do të doja të flitet vetëm për futbollin, pa këto të tjerat. Po si mund të arrihet kjo? Ajo që ka ndodhur është e tmerrshme, edhe pse disa vendime më kanë lënë pa mend. Do të doja që futbollistët të kuptonin se kanë gjithçka dhe nuk kanë pse ta mbushin jetën e tyre me gjëra të kota. Nuk duhet ti lëmë vetëm. Të gjithë, ne trajnerët, familjet, miqtë duhet ti qëndrojmë afër për ti shmangur nga rrugët jo të drejta.
Futbolli e ka ende magjinë e dikurshme. Duhet tua sugjerojmë fëmijëve tanë?
Për këtë mendohem gjatë. Kam kaq vite në këtë punë dhe kam parë gjëra të tmerrshme. Nëse do të më thoshin sot për fëmijët apo nipërit e mi do të mendohesha gjatë para se të vendosja.
Më mirë dhuna apo korrupsioni?
Edhe korrupsioni është një formë dhune. I kemi rregullat, por nuk i respektojmë. Nuk kam parë kurrë në Itali që një ndeshje të ndalet për shkak të tymueseve, apo për fyerjet e tifozëve. Përkundrazi, në Angli tifozët shkojnë në stadium me bluzat zyrtare të klubit dhe sillen të gjithë në mënyrë qytetare. Një ndeshje në stadium aty shërben për tu relaksuar dhe për të larguar stresin.
Kush mendon se do ta fitojë titullin këtë vit?
Mendoj Juventusi. Milani dhe Interi janë si kantierë të hapur. Por mund të them se edhe Roma më ngjall kureshtje. Të shohim se çmund të bëjë me Zemanin këtë vit.
Capello, kur drejton një grup, është e vështirë të kuptosh apo të kuptohesh?
Të kuptohesh mes njerëzve me një inteligjencë mesatare nuk duhet të përbëjë kurrë një problem. Për tu ndjekur duhet të jesh karizmatik dhe futbollistët e kuptojnë menjëherë nëse e ke këtë dhunti apo jo. Të studiojnë në çdo moment. Një trajner është gjithmonë nën presion. Çdo