“FactSheet Tourism”, guidë për investitorët mbi potencialin e turizmit shqiptar

titull aplternativ – Turizmi shqiptar në shifra, AIDA: 12.5 milionë turistë të huaj dhe 22% kontribut në PBB
TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion konkurrues për turizmin dhe investimet në këtë sektor, ndërsa Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka publikuar “FactSheet Tourism”, një guidë të përmbledhur me të dhëna dhe informacion mbi potencialet e sektorit të turizmit në vend.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se, publikimi i fletëpalosjes, synon të ofrojë një panoramë të përditësuar mbi zhvillimin e turizmit dhe avantazhet konkurruese të Shqipërisë për investitorët vendas dhe të huaj.
Sipas të dhënave të përmbledhura në “FactSheet Tourism”, Shqipëria ka regjistruar 12.5 milionë turistë të huaj, ndërsa turizmi kontribuon me rreth 22% në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në sektor janë të pranishme edhe rrjete ndërkombëtare të hotelerisë, duke reflektuar interesin në rritje për tregun shqiptar.
Fletëpalosja paraqet gjithashtu lehtësitë fiskale që ofrohen për sektorin e akomodimit. Ndër masat e evidentuara janë TVSH-ja 6% për akomodimin, si dhe 0% tatim mbi fitimin për kategori të caktuara strukturash, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacion.
Një tjetër element i rëndësishëm është mundësia e dhënies në shfrytëzim të tokës publike për periudha deri në 99 vjet, një instrument që synon të krijojë më shumë hapësirë për zhvillimin e projekteve turistike dhe investimeve afatgjata.
Guidëa përfshin edhe informacion mbi investimet strategjike, kuadrin ligjor, kriteret për përfitimin e statusit të investitorit strategjik dhe procedurat e lehtësuara për projektet që plotësojnë kriteret përkatëse.
Në material prezantohen gjithashtu potencialet turistike të Shqipërisë, nga qytetet me trashëgimi historike dhe kulturore te parqet kombëtare, plazhet, zonat natyrore dhe mundësitë për zhvillimin e turizmit të aventurës dhe sporteve në natyrë.
Publikimi i “FactSheet Tourism” synon të shërbejë si një instrument informues për investitorët, duke përmbledhur në një material të vetëm të dhënat kryesore, avantazhet konkurruese dhe mundësitë që ofron Shqipëria në sektorin e turizmit.
Fletëpalosja e plotë është publikuar në faqen zyrtare të AIDA-s.
/e.xh/j.p/