Faik Konica: Ja e shkrova, po kush do ta këndojë

Nga prezantimi në Tiranë i librit të Ilir Ikonomit
Historia e shqiptaro-amerikanit, që për gati dy dekada përfaqësoi Shqipërinë në Washington.
Panairi i fundit i librit në Tiranë bëri që për herë të parë, pas shumë kohësh, libri të bëhej qendra e debateve dhe vëmendjes publike shqiptare. Ky ishte një lajm i gëzueshëm për ne, që besojmë ende të rëndësia e fjalës së shkruar (e të lexuar), ashtu siç ishte edhe një burim shqetësimi se mos vëmendja e çmuar vjen për arsyet e sduhura.
Kritika se disa libra me vlerë janë lënë në harresë për hir të atyre me tema të bujshme, ndonëse edhe ajo e lëshuar shpesh për arsyet e gabuara, nuk është fare pavend, por jo e mjaftueshme për tu alarmuar. Sita e kohës do të bëjë të vetën në fund. Por ajo që ia vlen të përmendet, është se sa mirë që të paktën një libër nuk priti për kohën e panairit, po i shkoi në dorë lexuesit shqiptar përpara se të fillonte festa e librave të bujshëm. Fjalën e kam për Faik Konicën e kolegut nga Zëri i Amerikës, Ilir Ikonomi.
Ndonëse librit të Ikonomit nuk i mungon asgjë cilësore që të mos konkurronte denjësisht, madje lehtësisht me librat më të bujshëm të këtij fundviti në Tiranë, vetë subjekti i librit, Faik Konica, nuk do të mund të konkurronte për vëmendjen e medias aq mirë sa subjektet e tjera. Kjo për arsye që nuk kanë të bëjnë edhe aq shumë me Konicën, sesa me faktorë të tjerë si për shembull pikëpyetjet e shumta që ende qëndrojnë mbi historinë ende të pashkruar të 50 vjetëve të komunizmit, kurioziteti sa serioz aq edhe fetishist për shkrimtarin më të shquar shqiptar të kohëve moderne, si dhe etja për më shumë përgjigje e sqarimi për militantët politikë të së majtës shqiptare që nuk prisnin të zbulonin se cili ishte kurbani i kohës: opozita, demokracia, Shqipëria, apo diçka tjetër më simbolike apo më prozaike. Është për të ardhur keq nga ana tjetër, që një libër kaq i rëndësishëm për një nga figurat historike e themelore të bashkësisë shqiptare në SHBA është vështirë për tu gjetur në tregun e librit shqip këtu në SHBA (Në fakt, ciniku brenda meje shton se as tregu vetë i librit shqip nuk gjendet më në këtë komunitet, e jo më libra të veçantë). Gjithsesi, ky libër ka rëndësi të madhe për shqiptaro-amerikanët, sepse përveç mik/armikut të tij të më shquar, Fan Nolit, vështirë të gjendet një figurë më shqiptaro-amerikane se Konica, që të simbolizojë lidhjen simbiotike mes bashkësisë sonë këtu në botën e re dhe Shqipërisë, atdheut nga kemi ardhur. Konica ishte kryetar i Vatrës dhe kryeredaktor i gazetës Dielli në ditët e saj më diellore, si dhe ambasadori më kohëgjatë përfaqësues i Shqipërisë në SHBA, një nga diplomatët më të rëndësishëm të historisë 100-vjeçare të shtetit shqiptar, por edhe rilindës, udhëheqës kulturor, shtetformues e intelektual publik (mbase i pari i tillë shqiptar) për atdheun e largët.
Historia e lidhjeve të bashkësisë sonë me atdheun nga kemi ardhur do të ishte e paplotë pa një studim të mirëfilltë të këtij simboli kaq kryesor të kësaj lidhjeje. Në këtë prizëm, meriton të duartrokitet gazetari Ikonomi, pa dyshim një nga më të mirët në historinë e Zërit të Amerikës, për këtë dhuratë të rëndësishme që i ka bërë historisë sonë kombëtare, historisë së diplomacisë shqiptare, si dhe pa dyshim historisë sonë komunitare. Libri ka vlera dhe do të lexohej me kënaqësi dhe vëmendje nga një numër grupimesh profesioniste dhe lexuesish të natyrave të ndryshme.
Nga një anë, Ikonomi u bën një shërbim të madh historianëve shqiptarë apo edhe atyre të huaj që merren me këtë periudhë të historisë së Shqipërisë, apo historisë së lidhjeve shqiptaro-amerikane me referencën e tij të pasur nga shtypi amerikan, me artikujt në vite ku përmenden shqiptarët dhe Shqipëria. Çdo historian që do të kërkojë të hulumtojë në të ardhmen, do të ketë të paktën një bazë të rëndësishme fillestare, që do ti lehtësojë mjaft punën kërkimore (Ndonëse ritmi i shpejtë i dixhitalizmit të arkivave të shtypit po e bën gjithnjë e më të lehtë zhytjen në burimet e të kaluarës, kjo punë pioniere kërkimore e gazetarit Ikonomi mbetet një gur i rëndësishëm themeli në studimet shqiptare.)
Në një plan tjetër, libri për Faik Konicën u shërben pa dyshim edhe politologëve dhe të gjithë atyre që ndjekin, komentojnë apo analizojnë jetën politike shqiptare, sidomos aspektin e polemikës publike. Nuk e di nëse është një lloj çlirimi për këta njerëz apo një arsye për tu tmerruar fakti që dy figura kaq të respektuara të së kaluarës si Noli dhe Konica janë gati po aq banalë, në mos më shumë, në dyluftimin e tyre publik, sa edhe krerët e politikës së sotme shqiptare.
Vetë e kam vështirë të them se cilën nga këto dy mbresa duhet të zgjedh. Se nga një anë dua të lehtësohem kur vë re se nuk është problemi te karakteri personal i krerëve të sotëm, sesa është te një kulturë e trashëguar përplasjesh të ashpra e me synime ndërasgjësuese të figurave publike; ndërsa nga ana tjetër më kaplon tmerri kur mendoj se jeta publike shqiptare mund ti ketë kaq thellë të ngulitura në ADN-në e saj karakteristikat më të shëmtuara që shfaq politika sot (Debati për këtë meriton një shkrim më vete, në mos një libër më vete: ciniku brenda meje ka dëshirë të shkruajë se tema meriton një bibliotekë më vete)
Në kohën e sotme shihet si e udhës që të sulmohet karakteri, prejardhja dhe familja e kundërshtarit politik, në vend që të kritikohet mesazhi i tij politik apo të kundërshtohen pikëpamjet e tij. Kjo lloj retorike është parë shpesh si trashëgimi e komunizmit (një analizë e shkëlqyer në këtë drejtim jep libri Shqipja totalitare e autorit Ardian Vehbiu). Mirëpo, shembujt domethënës që sjell në këtë libër Ilir Ikonomi, dëshmojnë për rrënjë më të thella që mund të jenë forcuar dhe përligjur gjatë komunizmit, por që nuk mund ti faturohen vetëm atij (Në fund të fundit, ka një arsye se pse komunizmi ngadhënjeu në vendet ku mungonte një e kaluar e mjaftueshme dhe e mirëfilltë pluralizmi politik e në veçanti ishte më i egër aty ku kjo traditë ishte më e paktë.)
Është e pamundur të mos të të vinë ndër mend ditët tona, kur lexon shkëmbimet e sulmeve tërësisht personale mes Nolit dhe Konicës, të banalizuara sidomos nga tifozët e tyre në të dy krahët. Republika që mbështeste Nolin dhe Dielli që mbështeste Konicën janë dy paralele të gazetave të sotme shqiptare që nga e majta në të djathtë merren me diskreditimin moral të udhëheqësve kundërshtarë. Në atë kohë, Republika e quante Faikun dhe vëllanë e tij, Mehmetin, këlyshë, zagarë, langonj që i vijnë rrotull kasaphanës zogolliane.
Një tjetër dukuri interesante që ndodh edhe në ditët tona, është loja me ndryshimin e pozicioneve. Ashtu si Gazeta 55 që riboton sot shkrimet e Mero Bazes, ku ofendohej Edi Rama, apo si Shekulli që boton sot fjalimet e Sali Berishës ku akuzohet rëndë Fatos Nano, edhe Republika e asaj kohe kënaqej duke ribotuar artikujt e Faik Konicës, ku fyhej Mbreti Zog, tashmë që Konica e kishte kthyer fletën dhe ishte bërë ambasador i tij në Amerikë.
Nga ana e tij, Dielli hakmerrej duke sulmuar figurën më të shquar të historisë shqiptaro-amerikane, Fan Nolin, me epitete që sot tingëllojnë të pabesueshme si edepsëz i edepsëzëve dhe karagjoz i karnavaleve, që sbeson as në fe e as në atdhe.
Një tjetër kujtesë e ditëve tona është që kundërshtarëve politikë u mohohet edhe kombësia shqiptare (për shembull: Paskal Milo e Fatos Nano janë përshkruar shpesh si grekë, Pandeli Majko si sllav apo Sali Berisha, kur akuzohet se e ka gruan serbe, apo një pjesë e mirë e krerëve socialistë tregohen si vllahë, duke i nënkuptuar një konotacion negativ me këtë grupim etj.), Dielli e përshkruante Fan Nolin si një turk, i cili sot nuk ka as njerëz e as shtëpi në Shqipëri.