E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Pas dy javësh, ODIHR do nxjerrë raportin e parë për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

15-03-2013 / Gazeta 55

Tre anëtarët e misionit vlerësues të ODHIR-it, u larguan dje nga Tirana pas 3 ditë takimesh intensive me aktorët politikë, institucionet që menaxhojnë zgjedhjet dhe ndërkombëtarët. Mbledhjen përmbyllëse ata e zhvilluan me diplomatë të nivelit të dytë dhe të tretë të akredituar në Tiranë.
Përfaqësuesit që merren me çështjet politike dhe zgjedhore në çdo ambasadë bënë panoramën për situatën parazgjedhore dhe nevojat për procesin e 23 qershorit. Nisur nga këto vlerësime si dhe ato të marra nga kryetarët e partive politike e KQZ, delegacioni i kryesuar nga nëndrejtoresha e Departamentit të Zgjedhjeve në ODHIR, Nicola Shmid, pas 2 javësh pritet të nxjerrë të parin raport për zgjedhjet parlamentare shqiptare.
Në këtë dokument, që do të publikohet on-line, do të përcaktohet dhe numri paraprak i vëzhguesve që ODHIR do të dërgojë për të monitoruar procesin para, gjatë dhe pas 23 qershorit.
Ndërkaq, rreth 6 javë para zgjedhjeve pritet të mbërrijë në Tiranë dhe kreu i misionit që do të bëjë vlerësimin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve, ndërsa 2 javë më pas, sipas traditës, pritet të mbërrijnë vëzhguesit afatgjatë. 
Në zgjedhjet e fundit në Shqipëri ODHIR dërgoi rreth 450 vëzhgues. 50 afatgjatë që ndoqën përgatitjet dhe ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin dhe garantimin e zgjedhjeve dhe 400 të tjerë afatshkurtër kryesisht për ditën e zhvillimit të tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›