Falcao refuzon Chelsea, PSG dhe Real për Monakon ne Francë
Nuk është as Chelsi, as Real dhe as PSG e ardhmja e bomberit të Atletiko Madrid, Radamel Falkao. Sipas mediave spanjolle thuhet se ai u ka thënë jo ofertave të ardhura nga kampionati anglez, Real Madrid, dhe PSG. Edhe pse aludohej shpesh për një kalim të tij te njëra prej këtyre skuadrave kolumbiani duket se ka zgjedhur skuadrën e Monakos, e cila ngjitet sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit francez.
Klubi i principatës, i kaluar në pronësinë e miliarderit Dimitri Rybolovlev, mendohet se do të shpenzojë rreth 200 milion euro në ne merkaton e verës, për të afruar lojtarë sa më cilësorë dhe për t’u kthyer menjëherë në një pretendente për titullin kampion në Francë.
Por para se të japë përgjigjen pozitive, i interesuar edhe nga rroga e lartë prej 10 milion eurosh në vit që i ofrohet në “parajsën fiskale të Evropës”, Falkao i ka bërë të qartë francezëve se dëshiron të shohë listën e blerjeve. Ai do të jetë i sigurt se në skuadrën e ardhshme do të luftojë për titull dhe shumë shpejt mund të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve.
Ai ka kërkuar gjithashtu që të ketë edhe një partner të denjë sulmi, e për këtë arsye, Monako ka nisur menjëherë tentativat për transferimin e Karlos Tevez nga radhët e Mançester Sitit, pasi trajneri Klaudio Ranieri e sheh argjentinasin si lojtarin perfekt për të kombinuar me Falkaon në repartin e avancuar.
Rikthimi i Monakos në elitën e futbollit Francez dhe investimet e miliarderit rus duket se do të rikthejnë shumë shpejt këtë skuadër mes më të mirave të futbollit. Objektivat për të blerë emra të mëdhenj si Falkao dhe Tevez tregojnë qartë se Klubi i principatës kërkon jo vetëm të rivalizojë me miliarderet e PSG por edhe në Europë me skuadra të tjera të mëdha. Investimet e mëdha që po bëjnë skuadrat franceze në vitet e fundit premtojnë për një rikthim të shpejtë të Ligës së parë franceze mes kampionateve më të mirë në Europë.