E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Falsifikimi i parasë/ Nënshkruhet marrëveshja, Shqipëria respekton rekomandimin e BE

Mbrojtja e monedhave nga falsifikimi dhe përqasja e kësaj mbrojtjeje me standardet e Bashkimit Europian kanë detyruar autoritetet e mbikqyrjes bankare, të ministrisë së Brendshme dhe prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela, të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit “Për rritjen e eficiencës në parandalimin dhe mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi, si dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale në këtë fushë”.

Kjo marrëveshje lidhet në zbatim të rekomandimeve të Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi në përqasje me standardet evropiane.

Shqipëria nuk shënon ndonjë histori të dukshme të falsifikimit të kartmonedhës së saj, lekut. Nga viti në vit, kjo dukuri shënon rënie. Banka e Shqipërisë raporton se koeficienti i kartëmonedhave të falsifikuara për çdo 1 milionë kartëmonedha në qarkullim vitin e kaluar zbriti në arriti në 5.4, nga 8.4 për një milion që kishte qenë në vitin 2020.

Sipas burimeve zyrtare, ky tregues ka prekur nivelin më të lartë të raportuar në tetë vitet e fundit. Mbështetur në këtë të dhënë dhe numrin total të kartëmonedhave në qarkullim, mund të përllogaritet se numri i kartëmonedhave të falsifikuara, të evidentuara, gjatë vitit 2021 ishte rreth 830, nga më shumë se 1310 që ishin identifikuar në vitin 2020. Nuk ka ende të dhëna të publikuara për vitin 2022

Sipas të njëjtave burime, nga pikëpamja strukturore, peshën më të madhe të kartëmonedhave të falsifikuara e zënë prerjet 5000 Lekë dhe 1000 Lekë të ndjekura nga prerja 2000 Lekë dhe 500 Lekë.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se falsifikimi i kartëmonedhave kombëtare bazohet tek riprodhimet nëpërmjet pajisjeve digjitale komerciale. Imitimi i elementeve të sigurisë i lexueshëm prej pajisjeve autentifikuese nuk ndeshet në pothuajse asnjë rast. Banka e Shqipërisë rekomandon publikun të tregohet i kujdesshëm gjatë shkëmbimit të kartëmonedhave, duke i kontrolluar ato për autenticitet me metodën “Prek, Shiko dhe Lëviz”, e publikuar edhe në faqen zyrtare të bankës qendrore.

Një vit më parë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qëndrore Europiane në fushën e mbrojtjes së Euros nga falsifikimi, duke rritur në këtë mënyrë shkallën e përafrimit të kuadrit tonë rregullator me atë evropian.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se në fund të vitit 2021 rezultonin në qarkullim rreth 154 milion copë kartëmonedha, me një vlerë totale prej 372.2 miliardë lekësh. Marrëveshja e re angazhon në mbrojtjen e kartmonedhave nga fallsifikimi edhe strukturat e ministrisë së Brendshme si dhe institucionin e Prokurorit të Republikës.

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›