Faqe të koleksionit kriminal të stalinistit Hoxha
Këto ditë u dhanë në TV Klanin dokumentarë në gjuhën angleze me titra shqip, që flisnin për tmerret e grave të huaja, të martuara me burra shqiptarë, që kishin qenë studentë në vendet e Kampit Socialist. Ishte koha në prag të tronditje të marrëdhënieve me BS, natyrisht edhe me vende të tjera, që e ruajtën aleancën me Bashkimin Sovjetik, në kohën kur Shqipëria nuk do ta bënte destalinizimit. Denoncimi i krimeve të Stalinit ishte i një rëndësie epokale. Duke folur për Europën, Shqipëria e Enver Hoxhës ishte i vetmi vend që iu shmang kësaj dukurie të re politike, që i dha frymëmarrje në kuptim të liberalizimit të trysnisë së ashpër të shtypjes nën emblemën e luftës së klasave. Kësisoj, në kohën kur kjo luftë u zbut së tepërmi në vendet e Europës juglindore, në vendin tonë, kjo luftë u ashpërsua edhe më keq, se pati një lëvizje kundër ndryshesës ndërmjet privilegjeve brenda Bllokut autokratik të funksionarëve të lartë politikë dhe popullit që duhej të hante bar, për të mbrojtur “parimet” enveriste dhe të klikës byroiste të E.H.-s. Konferenca e Tiranës, zëdhënësja e abuzimeve të Bllokut, u shtyp me grusht të hekurt.
Enver Hoxha është njeriu më i keqpërfolur, që në moshën e tij të pubertetit, të rinisë së tij të hershme, e gjer në pleqërinë e tij të huqeve psikofizike, të cilat bashkëshortja e tij ambicioze, Nexhmija, mundohej në mënyrë krejt të pabesueshme për kah mungesa e argumenteve, t’ia mbulonte fobitë e tij kur habiste edhe rojat e Bllokut me lajthitjet e tij të njeriut të papërgjegjshëm nga pikëpamja mendore. Sëmundja e tij e çekuilibrit mendor, e shoqëruar me vërshime fjalësh vulgare kundër armiqve të hamendësuar, veçanërisht pas kapërcimit të të shtatëdhjetave, kur i rrinte pranë “trashëgimtari” R. Alia (në gjyqet e mbledhjeve të partisë) që mundohej t’i kujtonte fjalët e lëna përgjysmë , krijoi një bindje të rrënjosur te njerëzit që i ruheshin fjalëve të pakontrolluara në praní të “miqve të rremë”, kureshtarë sesi ishte gjendja shëndetësore e “atij të madhit”. Janë bërë shumë arrestime për”fajësive” të tilla nga persona naivë. Për të plotësuar me pak fjalë këtë portret, ata që e njihnin qysh në moshën e vegjëlisë (Bedri Spahiu, për shembull), tregonin për sadizmin e Enverit fëmijë, që zinte zogjtë dhe i fuste në zgavrat e murit prej qerpiçi dhe i vuloste me baltë dheu, për t’i varrosur të gjallë. I ati, xha Halili, dëshpërimin e vdekjes së vëllait të Enverit e shprehte me krahasime interesante, se i iku i miri dhe i mbeti zullapi. Për moshën e rinisë, ai që e njihte me rrënjë e me dhëmballë ishte Foto Bala, që ia dinte sesi ishte bërë “mish me erë” (siç e përcaktonte Beqir Ajazi), që u mbyt me borxhe të cilat s’i lante kurrë. Shumë prej miqve të Francës e të Belgjikës, habiteshin sesi E.H.-a ishte nga të paktët që “iu shmang” detyrimit ushtarak, që bëhej në raste tepër të rralla, një nga të cilat ishte nëse qé ngarkuar me mision. Pra, shumëkush e merrte nëpër gojë se ishte përzier edhe në implikime si informator, që në atë kohë. Aventurat në Konsullatën belge, të njohura mirë nga M. Çoku dhe nga B. Ajazi, kur bëhej fjalë edhe për një gjyq kundërsovjetik në Bruksel, në të cilin kishte dalë edhe emri i E.H.-s, është në përkitje me këtë version të një personi të manipulueshëm. Për padronët e rinj jugosllavë për të shtrirë tentakulat e tyre në vendin tonë gjatë Luftës, ishte rasti më i volitshëm që të bënte vasal të interesave të tyre antishqiptare (kundërkosovare) , një person pa integritet moral, si Enveri.
Tani, për shoqërim idesh (associations d’idées), - që i përdorte shpesh Volteri në polemikat e tij – le të bëhen përqasjet e E. Ramës me Enverin, që nga ekstravagancat e Ramës me prindërit, që kur ishte fëmijë tekanjoz; që nga rinia e tij e çekuilibruar në marrëdhëniet me një vajzë të talentuar si aktore dhe të virtytshme në pamjen njerëzore, që përfundoi me një divorc të bujshëm, gjer në akuzat për incest, që të mos zgjatemi më shumë, e gjer te tri – katër marrëdhëniet e tjera, që të kujtojnë historinë e hidhur të sopranos së hirshme, Vera Davidovës, e cila pati kurajën t’ia shpaloste publikut fizionominë sadiste të të dashurit të vet të detyruar, Stalinit, në një libër të saj të kujtimeve të trishtuara. Meqë jemi te librat, ata duan dhunti të veçanta të autorit që të jenë të besueshëm, ashtu siç është libri i Davidovës. Ndërsa jemi te librat e memorialistikës, na duhet të themi se ata të E. Ramës janë tërësisht të pabesueshëm, jo vetëm se atij i mungon stili i tregimtarit dhe se janë të “sfazuar” nga ana gjuhësore, por edhe, - më e rëndësishmja, - se janë kundërthënës gjer në skaj. Në të parin , “Refleksikonet”, autori synonte të na paraqitej si një antienverist ekstrem, me një revoltë të papërmbajtshme ndaj veteranëve dhe me teprimet që PS-ja emërndërruar të nxirrej jashtë ligjit. Me të dytin, “Kurban”, merr nën sqetull jo vetëm veteranët në tërësi, por edhe ata të ashtuquajtur veteranë, që janë të përlyer me mëkatet e asaj kohe kur populli shqiptar, në sajë të teprimit të luftës së klasave, nën patronazhin e Nexhmijes, ndahejj në dy kategori: Në “tanët” dhe në “armiqtë” , sipas sloganit “ata që s’janë me ne, janë kundër nesh”. Kështu që, sikundër “Veprat” e E.H.-s ishin të palexueshëm, po ashtu edhe “Kurbani” u shit me listë detyruese, sikundër shiteshin edhe librat e E.H.-s. Për “Kurbanin” thamë, në numrin e kaluar të “55-s” , se ishte libri i mllefeve fund e krye dhe përmendëm mjaft personalitete politike. Aty përmendej edhe autori i Zonjës së Zezë, me emrin Fahri Saliu. Pse ky mllef edhe kundër autorit të librit që është bërë një best-seller dhe po njihet, në rrjedhë të kohës, në të gjitha planetet e rruzullit? Së paku, Fahriu del këtu koherent ndaj kreut të demokracisë shqiptare, ndërkohë që autori i librit për Nexhmijen, as që ia ka nevojën mllefexhiut që të ketë një vështrim dashamirës ndaj tij, kur tiranasit, me vullnetin e tyre të lirë, e vlerësuan kandidatin Basha,10 herë më shumë se kandidatin dështak, i cili nuk gjeti dot përkrahje as në Komisionin e Venecies.
Në këtë shkrim, synuam të tregonim se të gjitha ato piruetat e shëmtuara të Ramës, për të bërë karrierë me dollomanë e rrejshme të antienverizmit, dolën të dështuara; prandaj ambicia për pushtet vetjak të shfrenuar e çoi në anën e kundërt të barrikadës: në atë të apoteozës së Enverit, siç provuan të gjitha festimet e pështira të 16 shtatorëve në Pezë. Por s’mund të dalë e suksesshme orvatja e tij me aleancat e fundme me bllokmenët e rinj dhe me mëkatarët e hershëm të krimeve të diktatorit. Sikur të ishim në një sistem në të cilin kishte manovruar Enver Hoxha, Edi Rama mund të përdorte mënyrat e Stalinit dhe të Enverit, me metoda të përgjakshme, për të kurorëzuar pushtetin e tij vetjak. Madje e provoi njëherë, më 21 janar, dhe dështoi sërish. Për fat të keq janë orvatur të kryhen në vendin tonë, të kapur pas hijes së një diktatori. Merre me mend kur edhe një hije e tillë si Bamir Topi, i përmbysi kupën doktorit dhe demokratëve që e vlerësuan më shumë sesa i peshonte lëkura dhe Topi arriti gjersa ta quajë bamirësin e tij stalinist! Por atëherë përse iu ofrua një stalinisti? Përse veshi, pra, dollomanë e enveristit, kur këtë zgjedhje mund ta bënte që në krye të herës, siç e bëri se e bëri më vonë me votën që i dha Edi Ramës për mandatin e tij të kryetarit të pamerituar të bashkisë? Është kollaj të shash. Por duhet të shash pa të rënë sharja në fytyrë!
***
Njëra nga sjelljet më barabare të Enverit është qëndrimi mizor ndaj grave të huaja, që u martuan me studentë shqiptarë në vendet e kampit socialist. Erdhën në vendin tonë, si delja te kasapi. Tregimet e tyre janë të sinqerta, pas ndërrimit të sistemeve, në një kohë kur fjala e lirë ishte vërtet e lirë. Në intervistat që dëgjuam, pamë dy lloj të fotove: Para se të binin në ferrin e komunizmit shqiptar të E. Hoxhës, ishin të freskëta, të bukura, të hirshme. Pas dyzet vite vuajtjesh, i shohim të shndërruara në të shpërfytyruara, të rrudhosura, të rrënuara nga izolimi prej njerëzve, nga ndarja prej fëmijëve, prej të afërmve. Vërtet dënime rrëqethëse të njerëzve të pafajshëm. Dhe Enveri e dinte mirë se po bënte një hakmarrje të poshtër kundër atyre vendeve që e kishin izoluar. Ata që janë ende enveristë: a nuk mendojnë se mund të ishin edhe ata vetë në kushte të tilla? Sa miq të tyre të ngushtë e të shtrenjtë janë bërë hasha se s’i do partia? Paçin hijen e tyre. Veç mos të bëjnë krahasime me Ahmet Zogun!