E Diel, 1 Nëntor 2026

Fate Velaj caktohet këshilltari i kryeministrit Rama për diplomacinë kulturore

TIRANË-Kryeministri i zgjedhur Edi Rama bëri të ditur sot se këshillat mbi diplomacinë kulturore do i marrë nga z Fate Velaj, diplomat në Vjenë.
Rama e bëri të ditur këtë fakt nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook ku bëri dhe një përshkrim të profilit të z Fate Velaj.

“Para dy vitesh Presidenti i Parlamentit Europian nderoi me çmimin prestigjioz të Qytetarit Europian një shqiptar. Të cilit çmimi i posaçëm i Parlamentit Europian iu dorëzua për merita të veçanta në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimin e mëtejshëm të vendeve në Bashkimin Europian, si edhe ndihmesën e dhënë në nxitjen e mirëkuptimit mes qytetarëve të vendeve të ndryshme të Europës përmes bashkëpunimit pa kufij. I ikur si shumë të tjerë nga Shqipëria në kërkim të Tokës së Premtuar, ky shqiptar emigrant nga Vlora bëri me jetën e tij prej endacaku ëndërrimtar nëpër Europe, një histori suksesi mes artit, kulturës e politikës. I diplomuar ne Universitetin e Arteve të Aplikuara ne Vienë për Menaxhim Arti e Kulture, Fate Velaj është organizator i shumë ngjarjeve kulturore nëpër Europë që kanë prekur vëmendjen e politikës si edhe padyshim, një prej promotorëve më shembullorë të imazhit pozitiv të Shqiperisë në Kontinentin e Vjetër. Ai mori për merita të spikatura disa vite më parë, të drejtën e dynënshtetësisë nga Qeveria Austriake dhe se fundi iu përgjigj pozitivisht ftesës sime për të qenë këshilltar i kryeministrit në funksion të ambicies sonë për të zhvilluar diplomacinë e shumëprapambetur kulturore”, shkruan Rama në Facebook.

Emri i z Fate Velaj lidhet ngushtë dhe me historinë e ‘shkuljes së veshit’ të diplomatit Egin Ceka nga Edi Rama në Vjenë. Velaj ishte një prej organizatorëve dhe pritësve të të ftuarve të eventit me diplomatë ku ishte i ftuar Edi Rama.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›