E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Lubonja: Ju ftoj në muzeun tim të Spaçit

Fatos Lubonja

Valeria Dedaj

Fatos Lubonja së bashku me fotografen Barbara Hausammann, vizitoi ish kampin burg të Spaçit para dy vjetësh për realizimin e një reportazhi. Nga aty, ai, një ish i dënuar politik që kreu 17 vjet burg, mori 15 objekte si shenja të një kohe e të një vendi që mund të tregojnë histori të ndodhura nën regjimin komunist. Ato objekte mund të shërbejnë për të vajtur e për të ardhur në kohë. E nëpërmjet tyre, për të dialoguar me një brez që nuk e ka jetuar dhe nuk e njeh një anë represive të diktaturës së Enver Hoxhe, peshë që e bartin objektet e Lubonjës. Një lopatë, mbetje vagonësh, gozhdë shinash, litarë etj., të trajtë mbeturinash të ndryshkura, të cilat, së bashku, lidhin episode të jetës së Lubonjës por edhe për shumë personave të tjerë, bashkëvuajtës të shkrimtarit dhe publicistit në Spaç apo në burgje të ngjashme të kohës. Do ti shohim të ekspozuara, më 24 prill.

Kuratori Ardian Isufi, thotë se qëllimi i kësaj ekspozite, e titulluar Spaç: Njerëz Sende, është që njerëzit të mendojnë jo vetëm për të tashmen, por dhe për të kaluarën. Këto objekte janë të strukturuara e të lidhura me njëra-tjetrën, në atë mënyrë që të të çojnë në të kaluarën dhe të të rikthejnë përsëri në të tashmen, thotë kuratori Isufi.

Për vetë Lubonjën, ekspozita ka për qëllim ta fusë vizitorin në një proces të menduari sikurse në një muze arkeologjik dhe prej aty të krijosh idenë e një evoluimi. Objektet e mbledhura para 2-vjetësh dhe atmosfera që sjellin mbetjet e ndryshkura mbi gjendjen e sotme të ish-burgut të Spaçit, krijojnë, sipas Fatos Lubonjës, një formë arti të instalacionit konceptual. Një instilacion me karakter bashkëveprues. Një foto e Spaçit apo veglat e punës, kthejnë në kujtesë të njerëzve ngjarje nga e kaluara, përcjellin tek ata mesazhin e mosharresës. Prandaj në datën 24 prill, ora 18:30, në Qendrën e Informimit të Përfaqësisë Diplomatike të BE-së në Tiranë, bëhet kjo ekspozitë, e cila ka lindur nga një bashkëbisedim dhe bashkëpunim i gjatë në vitet e fundit midis artistit Adrian Isufi dhe shkrimtarit Fatos Lubonja. Në vitin 2010, në Galerinë e Universitetit të Arteve, në ekspozitën e artit bashkëkohor Fjala, Isufi ftoi Lubonjën të ekspozojë një objekt i lindur nga burgu politik. Ishin 82 fletë cigareje ku Fatos Lubonja kishte shkruar Ploja e mbrame, në vitet e burgimit në Burrel, më 1988. Dorëshkrimi u ekspozua me gjithë arkën ku ishte ruajtur në fshehtësi: një fjalor Micro-Rober.

Përvojën e jashtëzakonshme njerëzore në burgjet politike, Fatos Lubonja (1951) e tregon në tregimet e burgut, dhe në dy librat autobiografikë Në vitin e shtatëmbëdhjetë (1994) dhe Ridënimi (1996). Ndërsa me revistën periodike Përpjekja, prej vitit 1994, ai krijoi një kontribut me influencë, që vazhdon, për një mendim kritik në botën shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›