Fëmijët e parë të 2025-ës, mjeku: Gëzojnë shëndet të plotë

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Fëmijët e parë që erdhën në jetë në vitin 2025 ishin binjakët Ares dhe Rajd. Foshnjat lindën në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” pak sekonda pas ndërrimit të viteve. Si binjakët ashtu edhe mamaja e tyre gëzojnë shëndet të plotë.
Mjeku i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, i cili asistoi lindjen e vogëlushëve, ka treguar për gazetarët në një prononcim pas mesnate se pesha e tyre ishte përkatësisht 3000 gramë dhe 2700 gramë.
“Dy djem në gjendje të mirë shëndetësore, njëri rreth 3000 gramë dhe tjetri 2700 gramë. Gëzojnë shëndet të plotë, ashtu si edhe nëna e tyre. I pranishëm ishte edhe babai i fëmijëve. Me binjakët, familja ka tashmë tre fëmijë,” tha mjeku.
Ai tha se deri tani kanë ardhur në jetë edhe 18 foshnje të tjera.
Kryeministri Edi Rama ishte i pari që publikoi një foto të vogëlushëve të sapolindur, duke shkruar se ata janë lajmësit e një viti të mbarë dhe plot bereqet.
