Femrat dhe emigrantët, të diskriminuar në punë
Femrat dhe emigrantët janë të diskriminuar në punë dhe për këtë ndikojnë krizat ekonomike që kalon një vend. Shqetësimin e ngre Zyra Ndërkombëtare e Punës. Sipas të dhënave të fundit të ILO-s, vërehet se pavarësisht zhvillimeve të vazhdueshme pozitive të legjislacionit kundër diskriminimit, kriza ekonomike dhe sociale botërore ka rritur rrezikun e diskriminimit për grupe të caktuara, si punëtorët emigrantë. Kohërat e vështira ekonomike janë një terren i favorshëm për diskriminim në punë dhe më gjerë në shoqëri. Ne e vërejmë këtë gjë me rritjen e zgjidhjeve populiste, është shprehur drejtori i Përgjithshëm i ILO-s, Juan Somavia, duke shtuar se kjo kërcënon arritjet e disa dekadave. Studimi i fundit i publikuar nga ILO dje në Gjenevë, paralajmëron se në periudha rënieje ekonomike ekziston një tendencë për ti dhënë prioritet më të ulët politikave anti-diskriminuese dhe të drejtave të punëtorëve në praktikë. Masat e rrepta dhe shkurtimet në buxhetin e administratës së punës dhe shërbimeve të inspektimit, si dhe fondeve në dispozicion të organeve të specializuara që merren me barazinë dhe mos-diskriminimin, mund të kompromentojnë në mënyrë serioze aftësinë e institucioneve ekzistuese për të parandaluar që kriza ekonomike të shkaktojë më shumë diskriminim dhe pabarazi, thotë raporti. Sipas raportit, mungesa e të dhënave të besueshme në këtë kontekst vështirëson vlerësimin e saktë të ndikimit të këtyre masave. Për këtë arsye, raporti u bën thirrjeve qeverive të parashikojnë burime njerëzore, teknike dhe financiare për përmirësimin e mbledhjes së të dhënave mbi diskriminimin në nivel kombëtar. Progres i rëndësishëm është shënuar në dekadat e fundit në përmirësimin e barazisë gjinore në botën e punës. Sidoqoftë, diferenca në pagë vazhdon të ekzistojë, ku pagat e femrave janë mesatarisht sa 70 deri 90 për qind e pagave të meshkujve. Megjithëse janë prezantuar rregulla më elastike, për sa i përket orarit të punës si element politikash më të favorshme për familjet, diskriminimi që ka të bëjë me shtatzëninë dhe amësinë vazhdon të jetë i zakonshëm, ka bërë me dije ILO. Sipas Zyrës Ndërkombëtare të Punës, ngacmimi seksual është një problem i rëndësishëm në vendin e punës. Më të prekur janë femrat në moshë të re, me varësi ekonomike, femrat beqare apo të divorcuara dhe punëtorët emigrantë, ndërkohë që meshkujt që kanë pasur eksperienca ngacmimi seksual, priren të jenë të rinj, homoseksual ose anëtarë të minoriteteve etnike apo raciale.
70 deri 90
për qind e pagave të meshkujve janë mesatarisht pagat e femrave. Sipas ILO-s, ngacmimi seksual është një problem i rëndësishëm në vendin e punës. Më të prekura janë femrat në moshë të re, me varësi ekonomike,
femrat beqare.
Sektori publik dhe rekomandimet
Sipas Zyrës Ndërkombëtare të Punës, një numër në rritje femrash dhe meshkujsh diskriminohen për shkaqe që kanë të bëjnë me besimin, ndërkohë që diskriminimi për shkak të bindjeve politike priret të vërehet në sektorin publik, ku besnikëria ndaj politikave të autoriteteve në pushtet mund të jetë një faktor për aksesin në punësim. Diskriminimi që ka lidhje me punën vazhdon të ekzistojë për shumicën e 650 milionë personave me aftësi të kufizuara në botë, sikurse vihet re nga nivelet e ulëta të punësimit të tyre. Raporti botëror rekomandon një sërë hapash për të luftuar diskriminimin. Këto përfshijnë katër fusha prioritare, ndër të cilat promovimi i ratifikimit universal dhe zbatimit të dy Konventave themelore të ILO-s mbi barazinë dhe mos-diskriminimin në punësim dhe profesion.