E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson: S’mbaron si në Romë. Pep: T’i tregojmë botës cilët jemi

SHKRUAN: Jeton Selimi 28-05-2011 09:56

Admirim për Barcelonën e Pep Guardiolës, por pa ekzagjerime sepse për të Sër Aleks Fergusonin, Mançesteri është “më i pjekur dhe më solid sesa ai që u mposht nga blaugranat në vitin 2009. Kur kanë mbetur edhe pak orë nga finalja, Ferguson ekzalton të tijtë, “protagonistët e një sezoni të jashtëzakonshëm europian”. Pra, nuk do të përsëritet historia e vitit 2009: “Të luash në Champions League çdo vit na ka dhënë më shumë pjekuri e vetëbesim. Në krahasim me finalen e vitit 2009, ndjej se skuadra është më e gatshme. Nuk kemi ndryshuar shumë përsa u përket lojtarëve, pesha është po ajo, por kemi karakteristika të tjera, sidomos më shumë eksperiencë ndërkombëtare. Besoj se karakteristika kryesore e kësaj skuadre është uniteti.” Në Romë, Junajtidi, jo vetëm që u mposht, por mori edhe një leksion të mirë futbolli. Ferguson është i bindur se kësaj here në “Wembley” do të jetë një tjetër ndeshje: “Nuk është më një çështje hakmarrjeje. Në Romë bëmë disa gabime që na kushtuan ndeshjen, pra do të jetë e rëndësishme që të rrimë gjatë 90 minutave të përqëdnruar. Diçka është e sigurt, do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja klubet.” Në fund, Fergi ka fjalë të mira për Guardiolan. “Për të qenë një trajner i ri në moshë, Guardiola ka marrë rezultate të jashtëzakonshme.”

Pep Guardiola, trajneri i Barcelonës, është shprehur se fitorja e finales së Ligës së Kampioneve ndaj Mançester Junajtid do të ndihmonte të ardhmen e ekipit katalanas. “Kur stërvit një ekip si Barcelona shpenzon energji pavarësisht nëse fiton apo jo. Fitorja të lejon të vazhdosh i qetë punën sepse kultura latine nuk pranon humbjen. Për këtë arsye ne duhet të fitojmë finalen, përndryshe e ardhmja do të jetë e vështirë”, deklaroi Guardiola në konferencën për shtyp në prag të finales së “Wembley.” “Formacionin që do të hedh në fushë e kam vendosur. Do të mundohemi të luajmë si gjithmonë dhe shpresojmë të na ecë mbarë”, shtoi tekniku katalanas pa zbuluar emrat e lojtarëve. “Është një nder i madh fakti që jemi këtu për të luajtur finalen e dytë të Ligës së Kampioneve në tre vjet dhe mbi të gjitha ndaj një klubi si Manchester United”, përfundoi Guardiola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›