Ferizi për “The Guardian”: Shqiptarët në BM po “demonizohen” e paragjykohen nga media dhe politikanët e djathtë

Shqiptarët në Britaninë e Madhe po përdoren si “kokë turku” nga media dhe politikanët e djathtë, tha ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Uran Ferizi.
LONDËR, 22 prill /ATSH/- Ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Uran Ferizi, përmes një letre të hapur dërguar “The Guardian” ka ngritur shqetësimin se shqiptarët po paguajnë një çmim të lartë nga paragjykimet në BM.
Shqiptarët në Britani të Madhe po paguajnë një çmim të lartë në shkolla dhe në vendet e punës për faktin se po përdoren si “kokë turku” nga media e djathtë dhe politikanët, deklaroi ambasadori shqiptar, Ferizi.
Ai kritikoi gjithashtu Shabana Mahmood, ministren e Brendshme, për deklaratat në parlament ku ajo veçoi shqiptarët gjatë diskutimeve për problemet me emigracionin.
“Obsesioni për demonizimin e shqiptarëve ka arritur deri në foltoren parlamentare”, tha ambasadori për “The Guardian”.
“Kur një ministër përmend një kombësi në parlament, në vend që të përmendë një sjellje apo një lloj të caktuar krimi, ai nuk përshkruan një problem, por krijon një objektiv”, theksoi ai.
Ferizi, përvoja e parë e të cilit në Britani të Madhe ishte si një adoleshent i fshehur në mënyrë ilegale përpara se ai të përfundonte studimet në matematikë në Universitetin e Oksfordit, vendosi t’i shkruante një letër drejtuar “The Guardian” për të kundërshtuar atë që, ai e cilësoi si raportim të pasaktë të statistikave në “The Daily Telegraph” dhe media të tjera lidhur me shkallën e përfshirjes së shqiptarëve në krimin në Britaninë e Madhe.
Por ai e zgjeroi gjithashtu kritikën, duke vënë, në mënyrë të tërthortë, në shënjestër deklaratat e politikanëve me prejardhje të huaj, përfshirë Mahmood, Suella Braverman dhe të tjerë.
“Është dëshpëruese të shohësh politikanë që janë vetë emigrantë të gjeneratës së dytë duke sulmuar emigrantët që i kanë pasuar ata drejt Britanisë së Madhe”, tha ai.
Ambasadori tha se ndikimi i paraqitjeve negative të shqiptarëve në media dhe nga politikanët është ndjerë nga komuniteti, përfshirë punonjësit, familjet dhe nxënësit.
“Mendos se është krijuar një model në shtypin britanik ku statistikat selektive nxirren jashtë kontekstit dhe amplifikohen”, shkroi ambasadori në letrën e tij.
“Përfituesit, që vetëquhen ekspertë, shpërndajnë teori dhe numra të sajuar për shqiptarët – veçanërisht kur afrohen zgjedhjet”, shtoi ai.
Ferizi përmendi një analizë në të përditshmen britanike “The Daily Telegraph” në vitin 2024, e cila pretendonte se një në 50 shqiptarë në BM ndodhej në burg, norma më e lartë nga çdo kombësi.
“Megjithatë, kjo ishte arritur përmes një procesi që shpërfill procedurat më elementare për të siguruar saktësinë statistikore”, tha ai.
“Nëse numri i shqiptarëve në burg peshohet me numrin real të shqiptarëve në Britani të Madhe, jo vetëm me një nëngrup shumë të vogël të tyre, dhe kontrollohet për gjininë, moshën dhe të ardhurat, atëherë rezultati është se shqiptarët burgosen me të njëjtën normë si britanikët e lindur në vend. Por, kjo nuk përforcon paragjykimin se shqiptarët janë një grup jashtëzakonisht kriminal, ndaj nuk publikohet”, tha Ferizi.
Ambasadori e krahasoi përdorimin si “kokë turku” të shqiptarëve me përvojën e grupeve të mëparshme të emigrantëve në Britani te Madhe.
“Kjo u ndodhi hebrenjve, irlandezëve, polakëve. Çdo herë, narrativa zbulont ankthin e momentit më shumë sesa karakterin e njerëzve”, tha ai.
Referenca e ambasadorit ndaj Mahmood lidhej me deklaratën e saj në parlament në nëntor, kur ajo paraqiti plane të diskutueshme për reformimin më të madh të ligjeve të azilit në 40 vitet e fundit.
E pyetur nga deputetja laburiste, Stella Creasy për implikimet për fëmijët, ministrja e Brendshme tha se nevojitej një kontekst për familjet e azilkërkuesve me kërkesa të refuzuara.
“Janë 700 familje shqiptare për momentin që kanë paraqitur kërkesa për azil dhe kërkesat e tyre janë refuzuar”, tha ajo.
Shqiptarët në Britaninë e Madhe hezitojnë të flasin publikisht për përvojat e tyre negative, por një numër rastesh iu paraqitën “The Guardian” nga ambasada.
Mes tyre ishte një grua shqiptare e suksesshme në sektorin e teknologjisë, e cila hezitonte të shpërndante një postim në LinkedIn për një aktivitet shqiptar, pasi në ngjarje pune ishin bërë komente se shqiptarët janë “kriminelë dhe të rrezikshëm”.
Ajo dhe të tjerë thanë gjithashtu se kishin përjetuar diskriminim kur bëhej fjalë për promovime.
Një grua tjetër tregoi për bashkëshortin e saj që kishte marrë pjesë në një aktivitet pune me profesionistë të tjerë, ku u pyet për origjinën e tij.
“Kur ai tha se ishte shqiptar, gruaja që e pyeti u habit dhe tha “Mendoja se të gjithë shqiptarët ishin kriminelë”. Ai u ndje shumë keq, por u përpoq ta kalonte”, tha ajo.
Ariseld Muça, i cili drejton një kompani në sektorin e mirëmbajtjes së pronave në Londër, postoi në Instagram për përvojën e tij, ku klientët sillnin vazhdimisht në diskutim raportimet për “kriminelët shqiptarë”.
“Si mund ta mbyll marrëveshjen kur klientët më pyesin nga jam dhe gjithçka që dëgjojnë në lajme është se kriminelët shqiptarë po pushtojnë Londrën?”, tha ai.
“Ne e vlerësojmë shumë komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe dhe partneritetin tonë afatgjatë me qeverinë shqiptare për të goditur emigracionin e paligjshëm dhe kriminalitetin”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike.
“Kushdo, pavarësisht kombësisë, që ndodhet ilegalisht në Britani të Madhe, duhet ta ketë të qartë se do të largohet në momentin më të parë të mundshëm”, shtoi ai. //a.i/
https://www.theguardian.com/politics/2026/apr/21/albanians-uk-scapegoated-rightwing-ambassador-uran-ferizi?CMP=Share_iOSApp_Other